“Shijen e parë të teatrit e kam marrë në Festivalin e Butrintit”, Demaj: Si vendosa të studiojë për dramë një ditë në Sarandë

schedule11:00 - 1 Nëntor, 2023

schedule 11:00 - 1 Nëntor, 2023

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, regjisorja dhe drejtoresha e Teatrit të Metropolit, Armela Demaj është kthyer pas në kohën kur zgjodhi të studionte për teatër.

Ajo ka treguar se ishte një ndjesi e momentit nga një mikesha e saj në një grup të përbashkët shoqëror në Sarandë. Sakaq, Demaj ka theksuar se shijen dhe inspirimin për teatrin dhe dramën e ka marrë nga Festivali i Butrintit, i cili ngjiste në skenë aktorë dhe shfaqje shumë të njohura.

“Për fatin tim të mirë, unë shijen e parë të teatrit e kam marrë në Festivalin e Butrintit. Duke qene se unë jetoja në Sarandë dhe kam qene në moshë goxha relativisht të re në vitet 2000, e kam ndjekur që në edicionin e parë, Festivalin e Butrintit dhe për fatin tim të mirë, aty vinin shfaqje shumë të mira dhe aty unë kuptova sesa fuqi ka teatri, se çfarë magjie mund të sjellë teatri qoftë dhe me minimumin e resurseve në aspektin e materialeve skenike, skenografi, kostumeve etj. Magjia që aktori sjell në skenë pa pasur nevojën e manipulimeve dhe të efekteve speciale që ndoshta filmi i ka. Teatri ka shumë forcë shpirtërore. Është i aftë që të transformojë dhe të prekë thellësinë e shpirtit edhe të spektatorit që e sheh, me elementë kaq të vegjël dhe kaq të thjeshtë sa që në pamje të parë, mund të duken të parëndësishëm. Kështu që për gati 10 vite e kam shijuar vit pas viti me aktorët shumë të mirë magjinë e Butrintit. Aty e kam njohur për herë të parë teatrin, por nuk kam pasur në mendje që të merresha me teatrin, thjesht e shijoja si publikë. Ndodhi papritur që isha me një grup shumë të madh shoqëror, ku ndër ta ishte dhe një vajzë që studionte për teatër asokohe, që ishte po nga Saranda dhe ishte pjesë e grupit shoqëror. Në një moment kur bëhej fjalë se ku do të shkoja unë një vit më pas sepse isha në përfundim të gjimnazit, ndërkohë që po mendoja për shumë karriera të ndryshme, ky person më thotë, ‘jo, ti do vish për teatër’. Edhe unë pata një shkëndijë që është e pakuptueshme, por që kam përshtypjen që është vendi që unë do të doja të isha. Kështu që në atë çast vendosa që do shkoja në teatër pa e menduar më përpara. Nuk jam bërë pishman. Po bëj gati 20 vjet tashmë në teatër, bashkë me shkollën”, rrëfeu ajo./abcnews.al