Shqipëria, edhe pse një vend i vogël ka kaluar herë pas here drama të mëdha të cilat janë bërë për ditë të tëra qendër vëmendjeje.
Dashuria dhe pasioni është bërë shpeshherë shkak që të derdhet gjak dhe vajza të reja apo djem të rinj të përfundojnë tragjikisht të vrarë shkruan Albeu.com.
Jo më larg se dje një ngjarje e tillë tronditi Kavajën, ku një histori dashurie u kthye në tragjedi.
Por plot raste të tilla në kohë kanë prekur vendin tonë dhe ju i gjeni në galerinë që shoqëron këtë lajm.
A mund ta quajmë këtë fenomen, krim pasioni? Psikologjikisht, një term i tillë përfshin vrasjet të cilat ndodhin në momente gjaknxehtësie dhe që nxiten nga pasioni.
Në rastet shqiptare duket se nxitet më tepër nga dëshira për të vënë në vend nderin, xhelozia, mospranimi i ndarjes dhe në rastet më të dhimbshme edhe moskthimi i dashurisë.
Më poshtë rendimin shtatë ngjarjet më të bujshme që lidhet me krime pasioni:
Tetor 2012 – Shaban Norja 81-vjeç, i preu kokën Aishe Vatës 17-vjeç në Durrës. Pas një lidhje dy vjeçare mes agresorit dhe viktimës, kjo e fundit kishte mbetur shtatzënë.
Në momentin që Aishe Vata i tregoi 81-vjeçarit për shtatzëninë e saj, ky i fundit me anë të një sëpate i ka prerë kokën në oborrin e shtëpisë së tij. Ngjarja shokoi mbarë opinionin publik, ndërsa gjakftohtësia me të cilën 81-vjeçari kreu krimin ishte makabre. Në dëshmitë e tij, të ndryshuara disa herë Norja është shprehur se 17-vjeçarja i është lutur vetë që ta vriste pasi nuk donte të abortonte. Më vonë u tha se ai dyshonte për ndonjë tradhti të mundshme nga ana e saj, pasi mosha që ai kishte e bënte disi të vështirë shtatzëninë. Autori pranoi krimin, dhe u dënua me 25-vite heqje lirie.
Gusht 2016 – Sokrat Shani, 65 vjeç nga fshati Kryekuq i Divjakës vrau në një banesë në Golem, 27-vjeçaren Jonida Canaku, dhe disa ditë më pas vari veten në shtëpinë e tij në. Krimi u zbulua nga disa letra që autori kishte shkruar përpara se të vdiste, ku pranonte autorësinë e krimit, dhe tregoi vendodhjen e trupit të viktimës.
Sipas të dhënave nga policia 65-vjeçari dhe 27-vjeçarja kishin një lidhje intime prej shumë kohësh. Shani ishte i martuar dhe mbahej si një person me të ardhura të mira ekonomike në fshat. Ai shpesh ndihmonte familjarët e vajzës, por kur Jonida kishte filluar të njihej me dikë tjetër, ai nuk e ka pranuar lidhjen e saj, duke e vrarë në apartamentin e motrës së tij në Golem. Në letrën e tij para se të vetëvritej ai shkruante: “Jonida ndodhet te shtepia e Ludit ne Golem. Ka nderruar jete. Shtepia ndodhet perballe pishines tek hotel P, ne katin e katert. Jonida eshte nga kryekuqi date 14.08.2016.”.
Shtator 2017 – Fadil Kasa qëlloi me armë ish-bashkëshorten e tij gjyqtaren Fidel Hafizi nënën e dy fëmijëve të tij, në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, menjëherë pasi kjo e fundit kishte dalë nga parukieria. Ngjarja e bujshme do trondiste mbarë opinionin publik ku reagimet ishin të shumta. Shkak për vrasjen ishte mospranimi i divorcit nga ana e Kasës, i cili prej shumë kohësh përndiqte dhe kërcënonte gjyqtaren. Kjo e fundit kishte kërkuar urdhër mbrojteje ndaj ish-bashkëshortit, por pavarësisht kësaj, ajo nuk arriti ti shpëtonte dot vdekjes. Gjyqtarja Hafizi kishte kohë që ndihej e frikësuar për jetën e saj, dhe shpesh shprehej se e dinte që ai do e vriste, dhe fatkeqësisht ndodhi ashtu siç ajo e kishte menduar. Sot Fadil Kasa ndodhet në paraburgim, dhe pret dënimin nga gjykata ku akuzohet për vepra penale vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, rrëmbim personi dhe armëmbajtje pa leje, pasi ekspertiza përcaktoi se ai ishte i aftë mendërisht në momentin e krimit.
Janar 2018 – Aldison Belulaj qëllon me armë 21-vjeçaren Arjela Murataj pranë portës së “Fakultetit të Mjekësisë “ në Tiranë duke e lënë të vdekur dhe më pas qëlloi veten. Një lidhje e refuzuar nga viktima, e cila përfundoi në tragjedi. Një vrasje e paralajmëruar e cila mund të ishte parandaluar. Dy të rinjtë nga Zharrëza e Fierit njiheshin që prej gjimnazit. Fiksimi i Belulaj për 21-vjeçaren, studente të Juridikut do të kthehej në tragjedinë e jetës së tyre. Kjo vrasje vijon të mbushë kronikat dhe lajmet nëpër media, ndërsa autori ndodhet në gjendje kome në spitalin Ushtarak ku mjekët japin shumë pak shpresë për jetën.
Qershor 2018-Ishte ora 08:10 e mëngjesit të së premtes, kur Xhafer Mata i doli përpara Xhuljeta Çunit dhe i kërkoi që t’i riktheheshin lidhjes, pas ndarjes prej pak kohësh.
Pasi shkëmbyen disa fjalë në trotuar, 31-vjeçari nga Kukësi duket se ka hasur në refuzimin e 19-vjeçares nga Mati, e në këtë moment ka nxjerrë pistoletën duke e qëlluar në kokë. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Eshref Frashëri”.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Xhafer Mata ka qëlluar dy herë me pistoletë mbi Xhuljeta Çunin. Po sipas tyre, Xhafer Mata ka kërcënuar edhe disa qytetarë pranë një furre buke, e më pas ka qëlluar edhe veten. Në gjendje të rënduar psikologjike, Xhafer Mata qëlloi veten po në kokë, në krahun tjetër të trotuarit. Ai ndërroi jetë dy orë më pas në spital, ndërsa në vendngjarje policia gjeti një pistoletë TT.
Janar 2019-Shtetasi Arben Gjeçi mbeti i vrarë me sende të forta mbrëmjen e 24 janarit në fshatin Zall Bastar i Mesëm në Tiranë. Viktima kishte një lidhje jashtë martesore me një grua gjithashtu të martuar, vetëm 20 vjeçe. Nën akuzë për ngjarjen u vune tre persona, shtetasi Esat Cani, motra e tij Elida Cani dhe dhëndri Dëfrim Kurti. Ditën e ngjarjes, Cani dhe viktima janë takuar pranë një ndërtese të pabanuar.
Tetor 2019-Përplasja e armatosur në banesën e Marsida Qatjas në Kavajë ka tronditur qytetarët pasi gjatë këtij sherri humbi jetën një shtetas, ish- i dashuri i zonjës në fjalë dhe u plagos një efektiv policie, i dashuri aktual. I vrarë mbeti shtetasi Dritan Hoxholli dhe u plagos Bledar Toçi. Nderkohe Marsida ishte e martuar dhe burri i saj vuan dneimin ne nje burg ne Gjermani.