Ushtria e Izraelit tha të premten se forcat e veta tokësore, të ndihmuara nga avionët luftarakë dhe dronët, kryen sulme në qendër të Rripit të Gazës gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes.
“Gjatë ditës së fundit, forcat tokësore të IDF-së, të shoqëruara nga avionët luftarakë dhe UAVs të IDF-së, kryen sulme të shënjestruara shtesë në qendër të Rripit të Gazës”, tha Ushtria e Izraelit të premten në mëngjes.
“Trupat u larguan nga zona pas përfundimit të aktivitetit”, theksoi ajo.
Pamjet e publikuara nga ushtria shfaqën një autokolonë të autoblindave, si dhe re pluhuri pas sulmeve. Ushtria e Izraelit e kreu një sulm të ngjashëm tokësor duke përdorur tanke dhe këmbësori edhe natën paraprake në pjesën veriore të territorit palestinez.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha gjatë kësaj jave se vendi i tij po “përgatitet për një pushtim tokësor” të Rripit të Gazës. Më 7 tetor, militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 224 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Në bombardimet hakmarrëse izraelite janë vrarë së paku 7.028 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Numri i të vdekurve i dhënë nga Hamasi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. /rel