Biden kritikon kolonët izraelitë që sulmojnë palestinezët

schedule21:48 - 25 Tetor, 2023

schedule 21:48 - 25 Tetor, 2023

Presidenti amerikan Joe Biden theksoi në deklaratën e tij se “nuk ka kthim në status quo- në siç ishte më 6 tetor” midis izraelitëve dhe palestinezëve, por në të njëjtën kohë ai kritikoi aktivitetin e “kolonëve ekstremistë izraelitë” që sulmojnë palestinezët.

Pas takimit me kryeministrin australian Anthony Albanese të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Izraeli duhet të bëjë “çdo gjë që mundet për të mbrojtur civilët”. Ai shtoi se ishte i shqetësuar për raportet e “kolonëve ekstremistë” që sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor “në vendet ku ata kanë të drejtë të jenë.” Kjo duhet të ndalet, theksoi ai.

Ai përsëriti se SHBA mbështet Izraelin që të mbrohet kundër Hamasit dhe garantoi se SHBA “do të sigurojë që Izraeli të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten kundër këtyre terroristëve”.

Biden tha gjithashtu se rajoni duhet të përgatitet për fundin e konfliktit dhe “çfarë vjen më pas”.

“SHBA këmbëngul në pozicionin e një zgjidhjeje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët”, tha presidenti amerikan.

Së fundi, ai vuri në dukje se Hamasi “nuk përfaqëson shumicën dërrmuese të popullit palestinez në Rripin e Gazës apo kudo tjetër”.

Ministria e shëndetësisë e udhëhequr nga Hamas vlerëson se në Bregun Perëndimor të pushtuar, më shumë se 100 palestinezë janë vrarë dhe 1,650 janë plagosur në incidente të dhunshme dhe bastisje izraelite që nga 7 tetori.