Lufta në Izrael/ Blinken i drejtohet Katarit: Kërkojini Al Jazeera të ulë tonin e mbulimit

schedule19:52 - 25 Tetor, 2023

schedule 19:52 - 25 Tetor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i ka kërkuar kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Katarit, Mohammed al-Thani, të zbusë retorikën e Al Jazeera-s për luftën në Izrael.

Axios raporton se kërkesa ishte për të “ulur tonin” e mbulimit të Al Jazeera sepse është plot me nxitje anti-izraelite, duke sugjeruar se SHBA ka frikë se mbulimi i luftës nga rrjeti po nxit tensionet në rajon. Blinken ka folur për Al Jazeera Arabisht dhe jo Al Jazeera English, por gjithsesi ai nuk dha shembuj. Vetë Blinken ia zbuloi këtë të hënën një grupi liderësh të komunitetit hebre amerikan.

Kërkesa ishte një nga disa të bëra nga Blinken si pjesë e një thirrjeje më të gjerë për Katarin që të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Hamasit. Mesazhi i Blinken drejtuar kryeministrit të Katarit, gjatë takimit të tyre më 13 tetor, ishte se “biznesi si zakonisht me Hamasin nuk mund të vazhdojë”.

Katari pret liderët politikë të Hamasit, por në të njëjtën kohë ndërmjetëson aktivisht në bisedimet për lirimin e mbi 220 pengjeve.

Al Jazeera financohet nga qeveria e Katarit, por pohon se operon në mënyrë të pavarur. Megjithatë, Izraeli e ka akuzuar Al Jazeera-n se është zëdhënëse e Hamasit.