Banorët e dikur portit magjepsës të Meksikës, Akapulko, dhe qyteteve bregdetare përreth, janë përgatitur për mbërritjen e uraganit Otis, i cili ka mundësi të sjellë pasoja katastrofike.
Ky uragan i kategorisë 5 ka kthyer kujtimet e stuhisë së vitit 1997, e cila i vrau dhjetëra njerëz, shkruan REL.
“Një skenar makthi po zhvillohet për Meksikën jugore këtë mbrëmje, pasi Otisi po i afrohet bregdetit me shpejtësi të madhe”, tha shërbimi meteorologjik amerikan, Qendra Nacionale e Uraganit, të martën vonë.
Uragani Otis u forcua nga një stuhi tropikale në një uragan të rrezikshëm të kategorisë 5 brenda 12 orëve të martën, teksa po i afrohet bregdetit paqësor të Meksikës jugore.
Shërbimi meteorologjik amerikan tha se Otis shkaktoi erëra të fuqishme deri në 260kmh të martën vonë dhe se pritet të arrijë në Akapulko të mërkurën në mëngjes.
Akapulko është qytet me mbi një milion banorë në fund të bjeshkëve. Shtëpitë luksoze dhe lagjet e varfra e mbulojnë pjesën bjeshkore të qytetit me pamje nga Oqeani Paqësor.