Socialistët nuk po shfaqin asnjë entuziazëm për goditjen e rëndë që Sali Berisha dhe familja e tij po marrin nga drejtësia.
Mazhoranca ka vendosur të mos flasë për këtë cështje, duke shmangur replikat me ish kryeministrin i cili që në momentin e parë e quajti procesin, një sulm politik i urdhëruar nga Edi Rama.
Qeveria nuk e ka komentuar cështjen në asnjë aktivitet publik, por këtë të mërkurë, teksa prezantoi vendimet e qeverisë, ministrja Mirela Kumbaro u pyet edhe për vënien e Sali Berishës nën akuzë për korrupsion.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit kujtoi se ishte pikërisht Partia Socialiste që kishte bërë të mundur reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK që po jep këto rezultate.
Kumbaro u pyet edhe si deputete, nëse kufizimi i lëvizjes së Sali Berishës duhet të kishte kaluar më parë nga parlamenti apo jo, por ajo sërish nuk mbajti anë.