Kosova U21 “peshkon” në Superiore, Prekazi: Do jemi si Kroacia!

schedule11:49 - 9 Tetor, 2019

schedule 11:49 - 9 Tetor, 2019

Rafet Prekazi, trajneri i Kosovës U21, ka dalë sot në konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Shqipërinë U21. “Fillimisht ju falënderoj ju mediave që na keni qëndruar pranë dhe jeni pjesë e suksesit. Me Shqipërinë është ndeshja e radhës, si të tjerat. Nuk merrem me dëmtimet e ekipit kundërshtar. Kemi problemet tona edhe ne”, tha fillimisht Prekazi para mediave.

“Në futbollin modern loja është agresive dhe dëmtimet janë të pranishme. Si në çdo ndeshje ne kemi moton të luajmë për fitore dhe me krenari për këtë shtet”, shtoi trajneri i Kosovës U21. “Jemi shqiptarë. Ka pasur kalime mes ekipeve. Ne u kemi dëshiruar më të mirën. Çdo shqiptar që shkëlqen na nderon të gjithëve. Ne kemi pasur probleme me dokumentacionin e lojtarëve. Lojtari ka interesin të luajë sa më lart, por ne nuk bëjmë diskutime të tilla. Kemi punuar për të mirën e futbollit. Jemi shqiptarë të gjithë, kemi gëzuar bashkërisht për kualifikimin në Europian. Nuk kam dashur të ishim në një grup, por ky është realiteti”.

“Kosova për 2-3 vjet do jemi një mini-Kroaci. E kam thënë, koha punon për futbollin e Kosovës. Deri tani kemi bërë mirë. Suksesi është i përbashkët, edhe i juve gazetarëve. Kam ftuar Baftiun se po luan mirë me Ballkanin, ka dy vite që po merr minuta”, tha Prekazi mes të tjerash. Në konferencë ishte edhe mbrojtësi Lirim Kastrati, i cili ka qenë pjesë e Shqipërisë U17 në të shkuarën.

LISTA – Sot FFK ka publikuar edhe listën e lojtarëve që trajneri Rafet Prekzai do të ketë nën urdhra për ndeshjen kundër Shqipërisë më 15 tetor. Bien në sy disa lojtarë që luajnë në Kategorinë Superiore, duke nisur me lojtarët e Skënderbeut, Vitija dhe Muja, Daku i Kukësit dhe Gashi i Teutës. Për arsye dëmtimi nuk do të jetë Lirim Mema, i cili është pjesë e Flamurtarit të Vlorës. /abcnews.al

Lojtarët e Kosovës U21 për ndeshjen me Shqipërinë U21