Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu thotë se Ballkani i Hapur është një iniciativë e cila lindi në kohën kur po përgatitej plani për tregun e përbashkët rajonal.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Bregu u shpreh se në momentin e krijimit të Ballkanit të Hapur, Kosova vendosi një taksë 100% ndaj produkteve serbe, në kohën e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Sipas saj, kjo bënte që Serbia mos firmoste asnjë nga marrëveshjet rajonale, për sa kohë Kosova do mbante në fuqi këtë vendim.
Ndër të tjera, Bregu nënvizoi se Ballkani i Hapur, bëri më shumë zhurmë se sa në të vërtetë arriti të kishte përmbajtje.
“Nuk e di sepse unë nuk jam paguar asnjë ditë për Ballkanin e Hapur, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e axhendës së bashkëpunimit rajonal. Por përtej shakasë, ishte një iniciativë e cila lindi në kohën kur ne po përgatisnim planin për tregun e përbashkët rajonal. Ballkani i Hapur në fillim ishte minishengen pastaj propozimet u përfshinë pjesë e planit të cilin e miratuam dhe që u quajt tregu i përbashkët rajonal, dhe më pas pati një lloj ringjallje. Momentin kur u ringjall Ballkani i Hapur, me një titull shumë më interesant se sa tregu i bashkëpunimit rajonal. Ballkani i Hapur lindi në një moment kur edhe procesi i negociatave i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ishte bllokuar, Maqedonia e Veriut për shkak të situatës më Greqinë, me pas me Bullgarinë. Kështu që lindi ky proces, ishim nën efektin kur Kosova vendosi një taksë 100% ndaj produkteve serbe, në kohën e kryeministrit Haradinaj dhe kjo bënte që Serbia mos firmoste asnjë nga marrëveshjet rajonale, për sa kohë Kosova do mbante në fuqi këtë vendim.
Pra kishte një lloj impakti në të cilin tre vende të rajonit vendosën, dhe këtu nuk kam pse të them nuk kishin të drejtën, dhe thanë ok, ne kemi rënë dakord të gjashtë, por këtu problemet përsëriten nga dita në ditë pse në që duam të kemi më shumë mundësi për biznesin, tregtinë, korsi preferenciale në pikat e kalimit kufitar, për të lëvizur me një kartë ID”, theksoi ajo./abcnews.al