Detajet nga Samiti i Procesit të Berlinit/ Pse u zgjodh Shqipëria dhe kush do të mungojë në takimin e lartë BE-Ballkan Perëndimor?

schedule10:35 - 16 Tetor, 2023

schedule 10:35 - 16 Tetor, 2023

TIRANË- Shqipëria është zgjedhur për të mirëpritur Samitin e Procesit të Berlinit, një eveniment ky që do të bëjë bashkë krerët e BE dhe Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ishte parashikuar që të merrte pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, por ai e shtyu me disa orë vizitën e tij për në Tiranë.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, raportoi se presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk do marrë pjesë në Samit, por do vijë në orët e pasdites në Shqipëri. Sipas mediave franceze, shkak për këtë shtyrje u bënë vrasja e mësuesit në Francë, si edhe konflikti në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe grupit Hamas.

“Macron do të vijë në Tiranë, por nuk do të vijë në Samit. Ai do të vijë në mbrëmje dhe do kemi takim nesër me Ramën dhe Begaj”, raportoi ajo. Në Samit do të mungojë edhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, ndërsa vendi fqinj do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Tiranë.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh se Samiti nuk do jetë takim për të folur për çështje bilaterale, por gjithsesi drejtuesit e vendeve do përpiqen të takojnë udhëheqës për t’i bindur ata në qëndrimet që mbajnë.

Kujtojmë këtu konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës dhe ngjarjes së fundit në Banjskë, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën një efektivi i Policisë së Kosovës. Gazetarja Konomi tha se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë mund të zhvillojnë takime bilaterale.

“Të dyja palët do kenë takime, por nuk presim një zgjidhje”, tha ajo.

Fakti që Samiti i Procesit të Berlinit po mbahet në Tiranë tregon më shumë se kurrë se vendi ynë është aleat i besueshëm i BE dhe Amerikës. Gazetarja Konomi raporton se Samiti më shumë pritet të ketë rëndësi politike  se sa praktike.

Sipas saj, BE-ja kërkon të çojë mesazh se nuk dëshiron që Rusia të shtrijë ndikimin e saj në Ballkan Perëndimor, dhe krahas kësaj, BE-ja në këtë Samiti ka ardhur me ide konkrete për investime në disa sektorë.

“Shqipëria një partnere e besueshme e BE dhe Amerikës. Nga ana e rëndësisë së vetë Samiti, është më shumë rëndësi politike sesa praktike. BE kërkon t’i ngulë këmbët në rajon, kërkon që Ballkani të mos rrëshkasë nën influencat ruse, dhe ky është një mesazh që shkon për Malin e zi, Bosnjës dhe Serbinë dhe pak më pak për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. BE nuk synon të garantojë këtë me disa vizita zyrtare, BE do vijë me një çantë me para për rajonin. Është një paketë projektesh, rrugësh, autostradash, hekurudhash, investime në energjetikë”, raportoi ajo.

Ky Samit do ketë një kosto prej 500 mijë eurosh.

“500 mijë euro. Faturë vetëm për samit. Kostoja e gjithçkaje teknike, akomodimi, ushqimi i pasur dhe i bollshëm, elementët e sigurisë dhe po ashtu një spektakël valles dhe këngësh, por në këtë rast nuk do jenë vetëm trojet shqiptare, por do të jenë të përfshirë edhe vendet e tjera të Rajonit” raportoi gazetarja./ n.m.abcnews.al