Në një intervistë në “Sheshi i Dollarit”, në ABCNews, juristi Jordan Daci theksoi se autoritetet duhet t’i kushtojnë rëndësi sektorit të mjekësisë.
“Shqipëria duhet ti kushtojë rëndësi këtij sektori jetik, si shëndetësia. Ne ku kemi luksin për të shpikur raketa, por investimi parësor duhet të jetë në arsim dhe në shëndetësi”, tha juristi Daci.
Gjithashtu kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu u shpreh se edhe në Kosovë mbetet problem shqetësues largimi i mjekëve.
“Situata është thuajse e njëjtë dhe nuk ka ndonjë dallim, vetëm se qeveria e Kosovës nuk ka shkuar në këto hapa radikalë. Ne si organizatë profesionale kemi dalë kundër nëse do të fillojë një gjë e tillë edhe në Kosovë. Qeveritë duhet t’i japin përparësi mjekëve, nuk është çështja vetëm e pagës. Nëse kryeministrat tonë nuk janë patriot të sigurojnë shëndetin e popullit të vet, çfarë mund të pritet. Shëndetësia nuk rregullohet me patriotizëm. Të dy qeveritë nëse nuk reagojnë problemi do të thellohet”, u shpreh Sejdiu.
Nga ana e tij Ilir Alimehmeti u shpreh ligji për studentët e mjekësisë që parashikon një marrëveshje paraprake me studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në 5 vite në vend pas mbarimit të studimeve, nuk është zgjidhje, por e thellon më shumë problemin.
“Ne po bëjmë një ligj që kushtet e punës i bën akoma më të acarueshme. Problemin duhet ta shohim në sy, në mjekësi kur dikush të vjen me tre probleme, mjeku është i detyruar të shohë të parin problemin që të rrezikon. Mjekët, infermierët, mamitë duhet të mbështeten, të dyfishohen rrogat e shërbimit shëndetësor”, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti./abcnews.al/