Gjatë vizitës së tij në Estoni, kreu i shtetit, Ilir Meta ka zhvilluar edhe një intervistë për televizionin shtetëror. Për sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Europian, Meta tha se Franca dhe Holanda duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
“Do të sugjeroja që këto vende duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë, nëse ende do të kenë një dozë skepticizmi apo rezerva për çështje të caktuara. Mendoj se Bundestagu mori një vendim tepër të drejtë dhe të arsyeshëm për t’i thënë “Po!” hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë,por gjithashtu duke pasur një udhërrëfyes të qartë se si do të vazhdojë më tej ky proces”, tha Meta.
Pasi u pyet nga gazetari, Meta foli edhe për marrëdhëniet e tij me Ramën.
“Me të jam në rregull dhe nuk kam probleme. Nganjëherë ai ka vështirësi për të bashkëjetuar në harmoni me demokracinë, me pluralizimin politik dhe me zgjedhjet e lira e të ndershme, por këto janë themelet për një vend demokratik dhe evropian”, tha Meta.
Intervista e plotë:
Gazetari: Mirë se vini në programin tonë, Zoti President Meta!
Presidenti Meta: Ju faleminderit për ftesën!
Gazetari: Ju tani nuk keni një Gjykatë Kushtetuese funksionuese në vendin tuaj apo jo?
Presidenti Meta: Ky është një tjetër problem, por shpresojmë që në muajt e ardhshëm do ta kemi Gjykatën Kushtetuese dhe që ajo do të marrë vendimet e duhura e të drejta.
Gazetari:Ka një ngërç mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Institucionit të Presidentit. Ju duhet të emëroni gjyqtarët për në Gjykatën Kushtetuese dhe duket sikur kjo gjëështë tepër e vështirë. Si mendoni ta tejkaloni këtë ngërç?
Presidenti Meta: Ky është një ngërç i kanalizuar gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, që u votua në mënyrë unanime tre vjet më parë, kur unë isha Kryetar i Parlamentit dhe kur ne ia dolëm mbanë të arrinim një konsensus me të gjitha partitë parlamentare. Por gjatë zbatimit të reformës në drejtësi përjetuam disa probleme, por shpresoj që së shpejti do t’ia dalim mbanëpër të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionuese.Gjithashtu, edhe për ta çuar reformën gjyqësore përpara në drejtimin e duhur.
Gazetari:Gjithsesi, kur shikoj zgjedhjet vendore, të cilat u sunduan nga një parti e vetme, ku votuesit nuk kishin ndonjë zgjedhje, kur kam parasysh faktin se ju nuk keni një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, çfarë tregojnë të gjitha për shëndetin e demokracisë në Shqipëri?
Presidenti Meta:Nuk është se po kalojmë çastet më të shkëlqyera të demokracisë në Shqipëri.
Gazetari: Po me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si po ia kaloni? A merreni vesh mirë me të?
Presidenti Meta: Me të jam në rregull dhenuk kam probleme. Nganjëherë ai ka vështirësi për të bashkëjetuar në harmoni me demokracinë, me pluralizimin politik dhe me zgjedhjet e lira e të ndershme, por këto janë themelet për një vend demokratik dhe europian.
Gazetari: Vetëm disa muaj më parë ai tha se Shqipëria nuk është gati të anëtarësohet në Bashkimin Europian, sepse institucionet e saj politike nuk janë edhe aq fort të zhvilluara në të tashmen?
Presidenti Meta: Kjo është arsyeja më e mirë që ai duhet të përpiqet edhe më shumë për të ndihmuar vendin, për të rivendosur rendin kushtetues dhe demokratik.
Gazetari: Javën e ardhshme ju shpresoni që të merrni një ftesë për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Kam një ndjesi se Bashkimi Europian është paksa i lodhur nga krizat e veta të brendshme. E pse i duhet që të importojë një krizë si ajo që po përjeton vendi juaj me demokracinë?
Presidenti Meta: Edhe kriza jonë, ajo së cilës ju i referoheni, kjo e demokracisë në Shqipëri, po e pasqyron këtë krizë të brendshme të Bashkimit Europian, sepse ata mund të jenë më tepër ndihmues për ta shmangur këtë situatë krize. Ata mund të jenë më shumë të paanshëm dhe më të përkushtuar për të mundësuar dialogun politik mes të dyja palëve. Sidoqoftë, pse Bashkimi Europian duhet t’i mbajë dyert e saj hapur për zgjerimin përkundrejt Shqipërisë? Sepse Ballkani është shumë jetësor për qëndrueshmërinë, sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit Europian. Dhe mbajtja hapur e dyerve të zgjerimit për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut, e cila e meriton plotësisht si dhe për vendet e tjera, që shpresojnë të vazhdojnë në këtë rrugëtim, mendoj se ky do të ishte një investim për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e këtij rajoni, që ka qenë dhe do të jetë shumë jetësor për qëndrueshmërinë e mbarë kontinentit.
Gazetari: Ka disa vende tepër skeptike: Holanda, Francë, madje edhe Greqia, që nuk janë edhe aq shumë entuziaste për të nisur bisedimet e anëtarësimit me vendin tuaj. Si e mund t’i bindni këto vende?
Presidenti Meta: Do të sugjeroja që këto vende duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë, nëse ende do të kenë një dozë skepticizmi apo rezerva për çështje të caktuara. Mendoj se Bundestagu mori një vendim tepër të drejtë dhe të arsyeshëm për t’i thënë “Po!” hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë,por gjithashtu duke pasur një udhërrëfyes të qartë se si do të vazhdojë më tej ky proces.
/abcnews.al