Daut Gumeni është poeti, i cili njihet si rrëfimtari i së shkuarës së hidhur komuniste. Pavarësisht kësaj, ai ka rrëfyer në “Pas Mesnate” në ABC News, momentin më të bukur të jetës, të cilin konsideron shkollën e mesme në Gjirokastër.
Më konkretisht, ai e kujton këtë moment nga mësuesit e tij, të cilëve u ka dedikuar dhe një vëllim me poezi. Dauti thotë se ata nuk e mësuan vetëm të ishte nxënës, por mbi të gjitha njeri. Këtë gjë ia kishte thënë pas shumë vitesh dhe një person i rastësishëm që kishte takuar.
“Nostalgji kam për atë periudhë të shkurtër që ka qene periudha më e bukur e jetës, ai 4-vjeçari i shkollës së mesme në Gjirokastër. Ai ka qene momenti më i bukur, mësues shumë të mirë, qytetarë të mirëfilltë. I kam dedikuar mësuesve dhe vëllimin e fundit. Ata më shumë se dijet për lëndët që na jepnin, kishin një merak qytetari për të na afruar me njeriun, sepse mund të mbeteshim të zbrazur si njeri dhe kishin merak që të mos mbeteshim të zbrazur si njerëz.
Një moment i bukur nga këto shkrimet e mia ka qene kur një mësues i vjetër nga një fshat i Kurveleshit, që në vitin ’65, ata që në kohë kishin 284 persona me arsim të lartë. Ishte fshati më i arsimuar. Edhe u ndesha rastësisht dhe më tha, çfarë e ke atë për mësuesit e vjetër, e di që më ngjethet mishi kur e lexoj atë. ‘Unë e ndjej veten sikur kam qene një nga mësuesit e tu, edhe pse nuk kam qene’, më tha ai”, rrëfeu poeti./abcnews.al