Prag ndeshje Shqipëri-Çeki/ Presidenti Duka, takim me Ministrin e Brendshëm, Balla dhe drejtuesit e Policisë: Të festojmë pa incidente

schedule09:28 - 12 Tetor, 2023

schedule 09:28 - 12 Tetor, 2023

Në prag të ndeshjes së kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëri-Çeki, është zhvilluar një takim organizativ në Shtëpinë e Futbollit, ku është diskutuar për masat e sigurisë të marra për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje të rëndësishme. Në këtë takim morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Në fillim, Presidenti Duka falënderoi Ministrin Balla dhe të gjithë strukturat e Policisë për bashkëpunimin, teksa kërkoi mbështetjen e të gjithë spektatorëve që të bëhen pjesë e kësaj feste dhe të mos shkaktojnë probleme.

“Mbështetja e Policisë edhe në eventet e mëparshme në ndeshjen kundër Polonisë ka qenë e nivelit të lartë, e nivelit të mirë pavarësisht se kemi pasur ndonjë incident, por gjithsesi unë jam i sigurt se qoftë Policia, qoftë ne, nuk mund të bëjë asgjë nëse ne nuk kemi një bashkëpunim me ata që do të jenë në stadium, me spektatorët. Padyshim që i kam kërkuar dhe do t’i kërkoj spektatorëve që të jenë bashkëpunëtorë, që të na mbështesin, që të jenë pjesë e kësaj feste dhe uroj të jetë festë me rezultat dhe të mos bëjnë gjeste apo mos tentojnë të bëjnë gjeste që të rrisin stresin apo volumin e punës për Policinë.

Jam shumë i sigurt që do të kemi një event të mirë, duke parë kaq shumë mobilizim si asnjëherë tjetër dhe për këtë dua ta falënderoj Ministrin e Brendshëm, z. Taulant Balla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Muhamet Rrumbullaku dhe të gjithë të tjerët, të cilët jo vetëm sot, por gjatë gjithë kësaj periudhe, në periudhën mes dy ndeshjeve keni qenë në një bashkëpunim shumë të mirë edhe me oficerin e Sigurisë së FSHF, me kompaninë e sigurisë, gjithë administratën dhe drejtorin e stadiumit”, – tha Presidenti Duka, duke theksuar se të gjithë do të kontribuojnë për të pasur një event sa më të mirë.

“Uroj që vërtetë të kthehet në festë, të mos kemi asnjë incident. Ne dhe ju po i bëjmë të gjitha dhe desha t’ju falënderoj edhe një herë për këtë që të mos kemi asnjë incident. Sepse në fund të fundit qëllimi juaj dhe qëllimi jonë është që t’i krijojmë kushte sa më të mira atyre që do të jenë në stadium, spektatorëve, futbollistëve, medias dhe të gjithë bashkë kontribuojmë për të pasur një event fantastik dhe performancë shumë të mirë të ekipet, sepse e gjithë Shqipëria e pret këtë ndeshje me padurim, e pret për një rezultat padurim. Uroj që edhe rezultati t’i përgjigjet mobilizimit tuaj, mobilizimit të skuadrës, të gjithë Shqipërisë dhe uroj që të festojmë, të festojmë pa asnjë incident”, – u shpreh Presidenti i FSHF.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se takime të këtij niveli do të zhvillohen rregullisht në prag të përgatitjeve për evente të rëndësishme për të diskutuar dhe marrë masa për çdo problematikë eventuale.

“Do të jetë një traditë tashmë që në prag të përgatitjeve të tilla të këtij niveli sikurse është kjo ndeshje kualifikuese e Shqipërisë në Kampionatin Europian 2024 dhe ndërkohë që besoj se duhet të fillojmë që tani përgatitjet për Kampionatin Europian të moshës U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri që edhe ai do të kërkojë përgatitjet e veta janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun. Gjëja e parë dhe mesazhi i parë që duhet të ndajmë në fakt me publikun në këtë moment, ndërsa sportdashësit përgatiten për të ndjekur këtë aktivitet është çështja e biletave.

Siç jam informuar nga Drejtori i Përgjithshëm pas komunikimit edhe me zyrtarët më të lartë të FSHF-së i gjithë verifikimi do të jetë pa hyrë në stadium, që në momentin e parë të kontrollit fizik dhe kontrollit të biletës përmes një pajisjeje që verifikon vlefshmërinë e biletës. Kushdo që do të tentojë të përdorë bileta të falsifikuara duhet të ketë parasysh që hyn në juridiksionin e ligjit dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë do të marrë të gjitha masat”, – tha Ministri Balla.
Gjithashtu, ai u bëri thirrje sportdashësve që të mos tentojnë të fusin flakadanë në stadium, pasi përveçse do të dëmtojnë Kombëtaren, do të përballen edhe me forcën e ligjit.

“Nisur nga konkluzionet që kemi nxjerrë nga ndeshja e fundit me Poloninë, publiku është njohur me faktin që FSHF ka marrë vendime për moslejimin e hyrjes në stadium të disa individëve, identiteti i të cilëve është publik. Policia e Shtetit duhet të marrë masa që asnjëri prej këtyre personave të mos hyjë dhe aty të jetë shembull. Dua të përsëris thirrjen time për të mos tentuar për të hyrë në ambientet e stadiumit me lëndë piroteknike që edhe në aktivitetin e fundit, patëm disa raste që sjellin dëmtim të imazhit të vendit tonë. Publiku, sportdashësi duhet të kuptojë që nëse do të hidhen flakadanë në fushë, ndeshja e radhës në shtëpi dhe e fundit e kualifikueseve me Ishujt Faroe më 20 nëntor mund të zhvillohet me gjysmë stadiumi ose fare pa tifozë nëse ka incidente. Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares kuqezi do të jetë ai person që do të vijë i përgatitur me flakadanë dhe prandaj reagimi ynë kësaj radhe do të jetë shumë i fortë”, – u shpreh Ministri Balla.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, bëri me dije masat e sigurisë të marra për këtë ndeshje për të shmangur çdo problematikë eventuale.

“Masat e Policisë janë të shtrira para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshje, duke marrë në konsideratë gjithçka që ka të bëjë me rezultatin e pritshëm të gjithë opinionit publik, por edhe të sportdashësve që do të jenë në stadium. Ne kemi bërë një vlerësim të riskut në lidhje me problematikat e mundshme që mund të na shfaqen. Nga Policia është bërë kontrolli i të gjitha ambienteve të brendshme e të jashtme të stadiumit, janë njoftuar edhe bizneset përreth për mbylljen e tyre dhe pasjen e një ambienti tërësisht të pastër që lidhen me lëndët piroteknike që bëjnë një rrezik.

Ndeshja e kaluar na dha disa problematika dhe u kemi kërkuar të gjithë drejtuesve të Policisë për të pasur një kontroll të imtësishëm të gjithë tifozëve dhe pjesëmarrësve në stadium. Policia këtë radhë në raport me problematikën e të kaluarës, do të marrë nën kontroll dhe nën monitorim të gjitha dyert e emergjencave dhe do të dublojë edhe punonjësit e sigurisë për kontrollin e imtësishëm në raport edhe me biletat për hyrje të paautorizuar por edhe problematika të tjera që lidhen me lëndët piroteknike”, – tha Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku./ h.ll/abcnews.al