Futbolli është i paparashikueshëm dhe ndryshimet ndodhin shumë shpejt. Tottenham luajti finalen e madhe të Champions League me datë 1 qershor, ndërsa tani ndodhet në krizë.
Ekipi i Pochettinos numëron 11 pikë pas tetë javëve në kampionat dhe vetëm një pikë në grupet e Championsit. Në prononcimin e dhënë nga një event i mbajtur në Doha, trajneri nuk arrin ta besojë këtë rënie të ekipit dhe mundohet të tregojë mënyrën e duhur se si Tottenhami duhet të rikthehet.
“Në këto momente është e vështirë të kontrollohen emocionet. Para pak muajsh po luanim finalen e Champions League, ndërsa tani ndodhemi në këtë situatë të keqe. Gjërat ndryshojnë shumë shpejt në futboll. Gjithsesi, ndryshimin e kemi vetë në dorë.
Duhet të punojmë fort dhe të rigjejmë besimin e humbur. Edhe në ndeshjen e fundit ekipi e humbi besimin pas pësimit të dy golave. Nuk është momenti për kritika, duhet të marrim të gjithë përgjegjësitë tona”, përfundon trajneri argjentinas i Spurs. /abcnews.al