RRIPI I GAZËS– Një ndërhyrje e mundshme me shtrirje të gjerë ushtarake brenda Rripit të Gazës do të ishte një problem i madh për Izraelin. Kështu u shpreh eksperti i çështjeve ndërkombëtare Medlir Mema në një intervistë për News Hour në Abc News.
“Jemi akoma në pritje, edhe Izraeli përtej retorikës, ka bërë të qartë dhe e kupton se një ndërhyrje ushtarake brenda rripit të Gazës do të përbente një pengesë për forcat e saj ushtarake dhe do ishte shumë e vështirë për të kontrolluar të gjithë Rripin e Gazës. Përkëtej teknologjisë së lartë që ka, në një lloj konflikti urban, do të përbënte problem të madh në aspektin logjistik dhe në përballimin e një kundërsulmi nga ana e Hamasit”, tha ai.
Ai tha se mund të ketë një dislokim dhe një operacion ushtarak brenda Gazës, por shkalla e shtrirjes nuk beson se do jetë në përputhje të deklaratave, që kanë thënë drejtuesit e Izraelit.
“Nëse ushtari izraelite do hynte brenda Gazës do të kishte një rrafshim të qendrave banorë, do kishim të bënim pastaj një zhvendosje të banorëve të Gazës, të cilët janë në një shtet rrethim aktualisht. Përbën një vështirësi të madhe logjistike, strategjike, teknike taktike për shtetin e Izraelit. Jam i sigurt se do ketë një ndërhyrje ushtarake brenda Gazës, nuk jam i sigurt se sa i zgjeruar do jetë kjo ndërhyrje në proporcion me retoriken që përdoret”, shtoi eksperti.
I pyetur nëse kjo përplasje e radhës mes Hamasit dhe Izraelit do t’i jepte fund luftës, për këtë Mema bëri këtë prognozë gjeo-politike:
“Konfliktet mes Hamasit dhe Izraelit kanë qenë të përhershme. Fatkeqësisht e ardhmja e Hamasit nuk është në dorën e Izraelit, e ka të pamundur për të asgjësuar Hamasin brenda një zone urbane aq të dendur siç është Gaza me 2.3 milionë banorë.”, shtoi ai.
Gjatë intervistës me gazetaren Viol Xhafaj, Mema u shpreh se ky tension ka një zgjidhje të vetme, e cila sipas tij është një formulë e njohur, por që nuk është vënë asnjëherë në zbatim.
“Zgjidhja e çështjes palestineze ka një zgjidhje dhe vetëm një zgjidhje. Shtet-formimi i Palestinës me terren në Gazë dhe në Bregdetin Perëndimor, dhe me kryeqytet një pjesë të Jerusalemit. E ardhmja e një zgjidhjeje, që kemi dy shtete që jetojnë në paqe sa vjen dhe po zbehet”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al