Bizneset shtojnë fitimet, ulin edhe huamarrjen ne banka

schedule14:25 - 10 Tetor, 2023

schedule 14:25 - 10 Tetor, 2023

Bizneset shqiptare kanë fituar më tepër në pjesën e parë të këtij viti.Një ndër faktorët që ka ndikuar mendohet se është për shkak të rritjes së numrit të turistëve dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor.Banka e Shqipërisë ka kryer një vrojtim mbi gjendjen financiare të bizneseve ku rezulton se pritjet mbeten optimiste edhe për pjesën e dytë të vitit , megjithë problematikat që ekzistojnë lidhur me gjetjen e tregut, rritjen e kostove të prodhimit, si edhe me gjetjen e stafit të kualifikuar.

Nisur nga këto të dhëna sipërmarrjet shqiptare shprehen se kanë në plan në rrisin investimet dhe zgjerimin e veprimtarisë.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë gjatë këtij viti bizneset kanë ulur edhe nivelin e huamarrjes.

Rreth 39% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar. Kjo peshë ka rënë me 1 % krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 2 % krahasuar me një vit më parë.
Huamarrja është realizuar vetëm në monedhën vendase për 59% të ndërmarrjeve të vogla, 60% të ndërmarrjeve të mesme dhe 49% të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që pjesa tjetër është në valutë ose e kombinuar.

Ngarkesa me borxh, në formën e raportit të borxhit ndaj kapitalit, dhe në formën e shërbimit të tij ndaj të ardhurave të ndërmarrjes, vlerësohet në nivele të përballueshme për pjesën më të madhe të ndërmarrjeve, dhe pa ndryshime të rëndësishme nga gjashtëmujori i mëparshëm. Bizneset presin që kërkesa e tyre për kredi të ngadalësohet gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023./abcnews.al