Operacioni antidrogë “Porosia”/ Arrestohen 3 shtetas në Elbasan, sekuestrohet drogë, armë dhe municion luftarak

schedule09:17 - 9 Tetor, 2023

schedule 09:17 - 9 Tetor, 2023

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga tre shtetas në kuadër të operacionit antidrogë “Porosia”.

Si rezultat i këtij operacioni  ka rënë në pranga 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

Po ashtu gjatë kontrolleve policia ka sekuestruar 22 kg kanabis, 2 armë gjahu dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Porosia”.

Operacioni, rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të iniciuar nga Policia e Elbasanit, në muajin maj 2023, dhe të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.

Si rezultat i operacionit vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen rreth 22 kg kanabis, 2 armë gjahu dhe municion luftarak.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike (disa prej tyre të realizuara në kuadër të megaoperacioneve “Rrjeti” dhe “Tempulli”), si dhe si rezultat i një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në bazë të informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Elbasan, gjatë vitit 2023, këta specialistë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor antidrogë të koduar “Porosia”.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit S. M., 59 vjeç, Y. B., 47 vjeç dhe F. B., 35 vjeç, të tre banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N. M., 33 vjeç, banues në fshatin Panaja, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Vijon puna për kapjen e 33-vjeçarit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 22 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu dhe municion luftarak, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim N. M.

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, dhe me strukturat hetimore të dvp-ve Vlorë dhe Fier, vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve, veprimtari të cilat dyshohet se janë të shtrira në disa qarqe.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al