Përveç sfidës Borussia Dortmund-Union Berlin, përfunduar me fitoren 4 me 2 të “verdhezinjve”, kanë përfunduar dhe 3 sfida të tjera të vlefshme për javën e 7 të Kampionatit gjerman të futbollit, Bundesliga.
Kështu, në “MHPArena” vendasit e Stuttgart kanë arritur një tjetër fitore “magjike” në këtë sezon të Bundesliga, teksa kanë mundur me përmbysje “jeshilët” e Wolfsburg, me rezultatin 3 me 1. Goli i parë i sfidës erdhi nga miqtë, me gjermanin Yannick Gerhart, i cili çon topin në rrjetën në minutën e 34’ për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin, 0 me 1. Me fillimin e pjesës së dytë vjen dhe kundërpërgjigjja e vendasve, me “bomberin” malez, Serhou Guirassy, i cili realizon një “3-golësh” në minutat 67’, 78’ e 82’ për të vulosur 3 pikët e radhës e për ta çuar veten në kuotën e 13 golave, në vetëm 7 javët e para të kampionatit.
Në krahun tjetër, “demat” e RB Leipzig e mbyllën në barazimin pa gola, 0 me 0, sfidën e mesditës së sotme ndaj Bochum, duke zhgënjyer jo pak tifozët e klubit. Vendasit patën 2 raste të pastra shënimi, me “fantazistët”, Xavi Simons dhe Emil Forsberg, mirëpo nga pika e bardhë e penalltisë, të dy gabuan duke mos arritur dot të marrin 3 pikët nga një sfidë goxha e lehtë në letër.
Në përballjen tjetër të mesditës, Darmstadt-i i Klaus Gjasulës arriti një fitore të madhe në garën për mbijetesë, teksa në “WWK Arena” mundur vendasit e Augsburg me rezultatin e ngushtë, 1 me 2, pas golave të Skarke e Kempe, në minutat 52’ e 70’, ndërsa për vendasit golin e shënoi Demirovic, në minutën e 86’ të sfidës.
Falë këtyre rezultateve, skuadra e Stuttgart bën atë çka shumë pak veta as nuk e imagjinonin në fillimin e sezonit, duke u pozicionuar në vendin e parë të tabelës, me 18 pikë, 1 më shumë se Dortmund i vendit të 2-të dhe 2 më shuëm se Leverkusen i vendit të 3-të. Leipzig pozicionohet në vendin e 6 me 14 pikë, 2 më shumë se Wolfsburg i vendit të 7, ndërsa Darmstadt, Augsburg e Bochum renditet në vendet 11, 15 e 16 të tabelës, me nga 7, 5 e 4 pikë. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT:
Stuttgart 3 – 1 Wolfsburg
RB Leipzig 0 – 0 Bochum
Aubsburg 1 – 2 Darmstadt