TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka reaguar për situatën në Rripin e Gazës. Sipas ministrisë, nga të dhënat e deritanishme nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar si pasojë e sulmeve të fundit atje.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Izrael. Sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme. Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare në Izrael në numrin e kontaktit:+972 54-4806601.
Grupi militant i Hamasit lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv.
Ushtria e Izraelit tha më 7 tetor se po godiste caqe të Hamasit në Gaza pas një breshërie intensive të sulmeve me raketa në orët e para të mëngjesit, që kishin për shënjestër caqe në jug të Izraelit.
Hamasi publikoi një deklaratë duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.
“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se Hamasi ka nisur një luftë kundër Izraelit. Yoav Gallant tha në një deklaratë se “Hamasi ka bërë një gabim të rëndë këtë mëngjes dhe ka nisur një luftë kundër shtetit të Izraelit”.
Ai shtoi se trupat izraelite po “luftojnë kundër armikut në çdo vend” dhe “shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”, raporton BBC/ n.m. abcnews.al

