Bisedimet SHBA-Meksikë lehtësojnë tensionet mbi ndërtimin e murit në kufi

schedule17:04 - 6 Tetor, 2023

schedule 17:04 - 6 Tetor, 2023

Zyrtarët amerikanë dhe meksikanë mbajtën bisedime për imigracionin, trafikun e paligjshëm të drogës dhe sfida të tjera të përbashkëta, të enjten në Meksikë. Për shkak të paqartësive mbi zgjerimin e mundshëm të murit kufitar SHBA-Meksikë, Sekretari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara u detyrua të shpjegonte qëndrimin e administratës amerikane. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias e Zërit të Amerikës njofton.

Diskutimet e zyrtarëve të nivelit të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës u përqëndruan në vlerësimin dhe nxitjen e përparimit nga të dyja vendet mbi çështje sfiduese si trafiku i paligjshëm i drogës dhe armëve.

“Ne po thellojmë bashkëpunimin për hetime, arrestime dhe ndjekje penale. Autoritetet meksikane po dërgojnë 40 për qind më shumë kërkesa se sa 6 vjet më parë për gjurmimin e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara dhe kjo u mundëson organeve të zbatimit të ligjit të ndalojnë trafikun e armëve që në burim”, tha Antony Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland vlerësoi ekstradimin e Ovidio Gomez Lopezit, drejtues i Kartelit të Sinaloas dhe i biri i Joaquin “El Chapo” Guzman.

“Ne e dimë se kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa sakrificën e organeve ligjzbatuese meksikane dhe pjesëtarëve të shërbimit ushtarak që dhanë jetën për vendosjen e drejtësisë”, tha zoti Garland.

Teksa nënvizoi se Meksika nuk është prodhuese e fentanilit, Sekretarja e Sigurisë Rosa Icela Rodriguez njoftoi strategji të reja për të frenuar trafikun e drogës.

“Ne do të zhvillojmë takime me vende që prodhojnë substanca kimike për të rregulluar tregun. Ne do të vazhdojmë të ndjekim organizatat kriminale që aktualisht shesin apo blenë drogë sintetike”, tha Rosa Icela Rodríguez, Sekretare e Sigurisë së Meksikës.

E enjtja, shënoi herën e parë që migracioni ishte pjesë e diskutimeve në kuadër të takimit të nivelit të lartë dypalësh.

Megjithatë, paqartësitë mbi qëndimin e administratës së Presidentit Biden dhe veprimet e fundit lidhur me zgjerimin e murit në kufi, morën më shumë vëmendje.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Alejandro Mayorkas, mohoi të kishte ndryshim të politikave.

“Ndërtimi i murit është miratuar dhe financuar gjatë administratës së kaluar, në 2019 dhe ligji detyron përdorimin e këtij fondi për këtë qëllim”, tha zoti Mayorkas.

Më herët gjatë ditës, Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador e kritikoi ashpër masën.

Në kohën kur bisedimet dypalëshe ishin drejt mbylljes, Sekretarja e Punëve të Jashtme të Meksikës Alicia Barcena u shpreh me një ton më pajtues.

“Sekretari Mayorkas ishte i qartë dhe sqaroi atë që po ndodh dhe për fat të keq, njoftimi përkon me vizitën e tyre”, tha zonja Bárcena.

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se siguria kufirit do të kërkojë një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë teknologji moderne për mbikëqyrje dhe modernizimin e hyrjes se pikave kufitare./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!