TIRANË- Analisti Mentor Nazarko tha se nuk beson se çështja Beleri do të përdoret nga Greqia në Samitin e 16 tetorit.
Ai theksoi në “Tirana Live” se shteti fqinj po përdor shumë presione ndaj vendit tonë, por megjithatë ai tha se Shqipëria ka treguar konsistencë në reagimet e veta.
“Ky aktivitet e thekson rëndësinë ndërkombëtare të Shqipërisë. Brenda në një kohë të shkurtër organizon samite të nivelit të lartë, të gjithë udhëheqjeve të Evropës. Ky aktivitet, samiti, paraprihet nga ministeriale. Është një theksim i rolit të madh të Shqipërisë. Çështja Beleri është kthyer një çështje dinjiteti për Greqinë, e them në thonjëza, sepse Greqia mund ta tregojë dinjitetin e saj edhe nëpërmjet formave të tjera. Çështja Beleri është shndërruar në një lloj testi në marrëdhëniet mes dy shteteve. Unë besoj se Shqipëria është koherente ne qëndrimet e veta. Shqipëria për shkak të investimeve perëndimore ka zhvilluar një reformë në drejtësi dhe përgjigjja që ka Shqipëria mendoj se do jetë e njëjta. Mënyra se si po e interpreton Greqia rolin e vet në lidhje me këtë çështje po harxhon shumë energji dhe po i ushtron Shqipërisë shumë presion. Unë nuk besoj se në kuadër të procesit të Berlinit do jetë përbërës. Në planin dypalësh, sigurisht që Greqia do vazhdojë ta luajë këtë presion”, tha ai./abcnews.al

