Scholz: Berlini nuk do të dërgojë raketat Taurus në Ukrainë

schedule22:04 - 5 Tetor, 2023

schedule 22:04 - 5 Tetor, 2023

Gjermania nuk do të dorëzojë raketa Taurus në Ukrainë, tha kancelari Olaf Scholz nga Granada, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në margjinat e një samiti të Këshillit Evropian. Megjithatë, Berlini synon t’i sigurojë Kievit një sistem tjetër kundërajror Patriot.

“Kjo është më e nevojshme tani,” tha Scholtz, duke vënë në dukje se Rusia pritet të provojë përsëri këtë dimër për të goditur infrastrukturën ukrainase me raketa dhe drone. Nga ana e tij, Zelensky shkroi në X se ka pasur një takim “të frytshëm” me kancelarin gjerman dhe se është mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë. “Çështja është mbrojtja e Evropës dhe vlerave të përbashkëta,” vuri në dukje ai.

Olaf Scholz është kritikuar ashpër kohët e fundit, madje edhe nga anëtarët e partisë së tij, SPD, për hezitimin e tij për të dërguar në Ukrainë sistemin më të avancuar të raketave ajrore me rreze të gjatë të prodhimit gjermano-suedez Taurus.

Në të kaluarën, ai kishte refuzuar sërish një kërkesë të ngjashme, nga frika e një përshkallëzimi të mëtejshëm të luftës nëse goditeshin objektivat brenda territorit rus.

Gazeta BILD publikoi se kancelari, pasi u konsultua me ekspertë dhe avokatë, mori vendimin për të mos i dhënë Taurus të paktën jo në afat të shkurtër.

Sipas revistës Der Spiegel, Scholz e kishte informuar tashmë Zelensky për synimet e tij gjatë takimit të tyre të fundit në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Kishte pasur një konsideratë të gjerë nëse sistemi Taurus mund të shihej si një përfshirje e tepërt gjermane në luftë, pasi funksionimi i Taurus kërkon furnizimin e të dhënave të synuara si dhe gjeodatave për të llogaritur trajektoren, e cila do të ishte shumë e vështirë për t’u arritur pa mbështetjen e Gjermanisë.

Siç raporton Spiegel, kancelari javën e kaluar shpjegoi në një seancë të mbyllur të Komisionit të Jashtëm të Bundestagut arsyet pse Gjermania është më e kujdesshme se p.sh. SHBA apo Britania e Madhe, duke vënë në dukje se këto vende janë më të relaksuara për çështjen e sigurimit të gjeodatave dhe pranisë së ushtarëve të tyre në Ukrainë.

Vendimi i kancelarit u prit me kritika edhe sot. Përfaqësuesi i të Gjelbërve për çështjet e politikës së jashtme, Anton Hofreiter, foli për një “mesazh katastrofik”. “Dorëzimi i Taurus mund ta ndihmojë presidentin rus të kuptojë se nuk po i arrin qëllimet e tij të luftës dhe, për rrjedhojë, është gati për negociata serioze”, tha politikani i Gjelbër.

Agnieszka Brugger, gjithashtu nga të Gjelbrit, e përshkroi vendimin si një “mesazh fatal të mungesës së besimit dhe solidaritetit për popullin e Ukrainës”. “Edhe një herë koha e çmuar po humbet dhe Ukraina nuk ka mjete të rëndësishme për të mbrojtur veten,” shtoi ai.

“Scholtz ndoshta dëshiron të presë derisa SHBA të dërgojë Atacm me rreze të gjatë në Ukrainë. Kjo mënyrë e vendimeve të kancelarit nuk kuptohet dhe na lë pa fjalë. Është një fatkeqësi për ukrainasit, por për Putinin është një ditë festimi”, tha kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes së Bundestagut, Marie-Agnes Strack-Zimmerman