Ministri turk i Energjisë Alparslan Bayraktar do të udhëtojë në Izrael në nëntor për të zhvilluar bisedime mbi dërgimin e gazit natyror izraelit në Turqi, tha sot ministria e tij për AFP.
Data e vizitës nuk është caktuar ende, por ministri tha se ajo do të bëhet “në javët e ardhshme”, në një intervistë për rrjetin televiziv privat NTV.
Bayraktar kujtoi se Turqia është tregu i katërt më i madh i gazit natyror në Evropë dhe gjithashtu synon të jetë një “vend tranzit” për gazin natyror të destinuar për vendet evropiane.
Ministri turk do të diskutojë me homologun e tij izraelit për dërgimin e gazit natyror në Turqi për konsum kombëtar si dhe organizimin e dërgesave në Evropë.
Ankaraja ka nënshkruar së fundmi marrëveshje për këtë qëllim me Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Moldavinë.
Pas vitesh tensioni, marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe Izraelit janë ngrohur gradualisht gjatë vitit të kaluar. Muajin e kaluar, në periferi të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të OKB-së, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takuan për herë të parë.