Bëni kujdes! Një virozë që po prek traktin tretës, po manifestohet me shenja më intensive se normalisht dhe kërkon më shumë kohë për tu rikuperuar po qarkullon në vend këtë vjeshtë.
Mjekët e familjes tregojnë se po përballen me raste të shtuara pacientësh dhe të sëmurët janë nga foshnja deri tek të moshuar.
“Manifestohet me të vjella, dobësi të forta trupore dhe djersë profuze, gjendje që e afekton pjesën fizike të pacientit dhe përjetimi është i fuqishëm. Nuk janë raste të padominueshme, por kohëzgjatja është më e madhe, nuk eshte 3-4 ditë si jemi mësuar, mund të zgjasë 1 javë deri 10 ditë. S’mund të themi që janë raste Covid ndoshta mund të jenë forma të mutuara as këtë nuk mund ta themi. S’mund të themi cili është virusi, është pjesë e ISHP për ta izoluar dhe përcaktuar.“, theksoi Bruna Shiroka, drejtoreshë e qendrës shëndetësore nr 3, Tiranë.
Në qarkullim gjithashtu janë dhe viroza të stinës ndërsa koronavirusi po shton numrin e të infektuarve. Prandaj bluzat e bardha apelojnë për të mos u vetëmjekuar dhe për të mbajtur kontakt me mjekun e familjes.
“Çdo shqetësim është mire të ballafaqohet me mjekun e familjes se dhe ndërhyrja që në fillim me ato mundësi që mjeku posedon, kemi mundësi të ndërhyjmë të mbajmë në nivel sa më të ulët shfaqen e komplikacioneve dhe të shkurtojmë kohëzgjatjen e sëmundjes. ”
Ndonëse po përballen me fluks pacientësh mjekët në qendrat shëndetësore në Tiranë thonë se virozat ende nuk e kanë arritur kulmin. Paralajmërojnë për shtim të të prekurve bëjnë thirrje për të rritur vëmendjen./abcnews.al