Kryeministri Edi Rama theksoi se vendi ynë nuk duhet të mbetet në turizmin low cost. Gjatë fjalës së tij në konferencën për bilancin e sezonit turistik, kreu i qeverisë theksoi se duhet punuar për të tërhequr turizmin e lartë, që rrjedhimisht do të sjellë edhe më shumë të ardhura në ekonominë shqiptare.
“Hoteleria, e cila ka nevojë të zhvillohet më shumë sepse kjo kërkesë e rritur ka nevojë për më shumë hotele por shqetësimi është që Shqipëria të mos karakterizohet dhe të përmbyllet në perceptimin e ri që ka krijuar si një vend i turizmit low cost. Nuk mund të jemi një vend i turizmit low cost, duhet të jemi një vend edhe me turizëm të lartë sepse ata sjellin shumë më tepër para për ekonominë tonë. Prandaj duhet të krijohen portet turistike dhe që Shqipëria të bëhet një vend që të sjellë sa më shumë jahte dhe anije të vogla turistike, dhe sa më shumë turistë, të cilët kur prekin tokën, konsumojnë 50 herë më shumë sesa njëri që vjen përmes tokës. Këtu shtoj nevojën që ne të kemi parasysh se historia e fshatrave turistike, ku duhet të kalosh mes dy viteve për të gjetur rrugën mes detit është një histori e mbyllur, sidomos në zonat strategjike.”, u shpreh Rama.
Në fund, ai theksoi se duhet shtrirë koha e Shqipërisë turistike në 12 muajt e vitit si edhe gjithashtu të zhvillojnë më shumë turizmin malor duke ndërtuar pista skish apo resorte.
“Për ta mbyllur me një notë të lartë optimizmi kam bindjen se vitin e ardhshëm do ta çojmë në një shkallë tjetër turizmin, kam bindjen që do të shtrijmë kohën e Shqipërisë turistike në 12 muajt brenda kësaj dekade, që siç po bëjmë me bregdetin, ku e vërteta është që historia ka filluar më përpara, do të bëjmë dhe me pjesën malore por për turizmin e konsumatorit të lartë për pistat e skive, për resortet që do t’i japin një impuls më të fortë turizmit dhe ekonomisë vendore në ato zona. Sepse nëse bukuria e Shqipërisë është kaq e larmishme, atëherë dhe turizmi duhet të jetë njësoj dhe i larmishëm dhe cdo pjesë larmie të natyrës duhet t’i përgjigjet një pjesë larmie e ofertës turistike të vendit tonë.”, përfundoi Rama./abcnews.al