Mezosopranoja e njohur, Ivana Hoxha ka dhënë një mesazh për të gjithë artistët e rinj në emisionin “Pas Mesnate” në ABC Neës.
Ajo ka theksuar që e rëndësishme është që ta duan atë që bëjnë dhe të studiojnë, pasi vetëm me talentin e madh nuk mund të dalësh i pari.
“Ajo që është e rëndësishme për një artist të ri, është ta dojë zanatin, ta dojë atë që bën. Studimi pafund është gjëja që të nxjerrë mbi ujë në ditët tënde më të vështirë. Sigurisht të gjitha këto janë të lidhura me talentin që ti ke. Në momentin që ti ke një talent shumë të madh dhe është një dembelizëm, një neglizhencë, kjo nuk të bën të jesh gjithmonë i pari. Që të jesh gjithmonë i pari, duhet të kesh atë këmbënguljen, egoizmin e mirë dhe dëshirën e mirë për të qene gjithmonë i pari, por jo për të qene vetëm ti i pari, por për të qene ti i pari për veten tënde. Konkurenca nis me veten. Kjo është primarja”, u shpreh Hoxha.
Më tej, ajo dha dhe një mesazh për familjen e saj, e cila e ka mbështetur gjatë gjithë kohës.
“I jam falenderuese për të gjithë jetën, në radhë të parë prindërve të mi që kanë investuar kaq gjatë te unë, te një vajzë që e donte kaq shumë teatrin në një kohë kaq të gjatë pritjeje, që ata ishin gjithmonë krahë meje, ishin gjithmonë mbështetësit e mi. Falenderoj shumë bashkëshortin tim, që është gjithmonë një njeri i qetë dhe nuk më shqetëson”, shtoi Ivana./abcnews.al