TIRANË- Ndërtuesit nuk do të kenë favorizime të tjera nga shteti, dhe nuk do të përfitojnë ulje taksash. Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit dhe u përplas me ndërtuesit që kishin kërkesa për t’u lehtësuar barrën fiskale.
“Çoni letra dhe kërkoni që shteti të mos marrë atë që i takon për njerëzit. Ju duhet t’i jepni 3% aty ku ndërtoni. 3% të jepet aty ku ju ndërtoni dhe që sa u takon njerëzve në Tiranë, të cilët duan të përfitojnë nga ato programe. Ne nuk jemi këtu për taksat dhe jemi këtu për procedurat dhe këtu ne po bëjmë një analizë të procedurave të lejeve të ndërtimit, sidomos ato që lidhen me turizmin, të cilat hasin herë pas herë problematikën e gjithë dokumentacionit, që lidhet mbi pronësinë për shkak konfliktesh dhe mbivendosjes. Megjithatë koha është e gjatë dhe duhet shkurtuar dhe ne do ta shkurtojmë kohën”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi se shpejt, bizneset e angazhuara në hoteleri e turizëm, mund të mos kenë më tatimin preferencial prej 6%, kur të gjitha sipërmarrjet e tjera e kanë TVSH-në 20 %.
“Ne duam t’ju lehtësojmë maksimalisht , por nga ana tjetër ju duhet të kontribuoni mbrapsht atë që është e shkruar, jo më shumë. Ju mendoni hotelet në bregdet, ju e dini shumë mirë, nuk është sekret, mjafton të bësh disa sondazhe të vogla nëpërmjet drejtorisë së taksave, për të kuptuar se tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen. Tjetër është niveli i okupimit dhe nivelit që deklarohet. Edhe hotelet duhet të përgatiten që do keni çmim referencë, por kaq ti do t’i japësh shtetit. Ne kemi 1.1 milionë turistë në shtator dhe nëse dhjetori do jetë në këtë trend, ne mund të kapim 10 milionë turistë, por me siguri do kalojmë 9. Si për shitjen e apartamenteve dhe për dhomat nëpër hotele, nuk shohim asnjë rrugë tjetër, përveçse nuk mund t’ju themi se “jo ne nuk e pranojmë që t’u marrim juve tvsh 6% për këtë shifër që na jepni”. Ne do t’ua marrim këtë 6% se na thotë tregu”, tha ai.
Qeveria angazhohet që t’u vijë në ndihmë bizneseve duke lehtësuar procedurat burokratike, përmes një rishikimi tërësor të procedurave administrative të biznesit që mund të sjellë përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznes./ n.m.abcnews.al