Universiteti i Tiranës, institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, u listua dhjetë vende larg fundit të tabelës së universiteteve në Evropë. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, foli për këtë temë teksa tha se rankimi që ka dalë është i ri.
Sipas ministres, universiteti ynë është rirenditur për shkak se në listë janë përfshirë edhe universitetet perëndimore. Më tej, ministrja shtoi se sigurisht nuk janë të kënaqur me këtë renditje.
“Në fakt ky rankim që ka dalë është një rankim që është i ri për Evropën dhe ku na ka përfshirë dhe ne. Është rankim i ri sepse janë futur vendet e Evropës perëndimore. Në Evropë numërohen rreth 3800 universitete. Ky është një rankim që ka marrë universitetet që të parat sot në këtë rankim, është Oxford, Kembrixhi.
Në rankimin e mëparshëm, rankoheshim me vende referencë vendet e Evropës qendrore, lindore. Ndërkohë që tashmë ky rankim i ri përfshin rankimin e universiteteve perëndimore dhe jugore dhe vlerëson këtë rankim ku përfshihen dhe universitetet shqiptare. Pra ne jemi rirenditur. A jemi të kënaqur? Jo.
Ajo që profesor Hoxha tha është se ky është një proces, që është duke u pasuruar me të gjithë informacionet sepse të gjitha rankimet kanë metodologji dhe elementet e kritereve që hap pas hapi edhe universitetet duhet të plotësojmë. Por të kemi parasysh diçka.
Ne kemi në vitet e fundit bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për ndërkombëtarizimin e universiteteve, që universitetet tona të kenë programe të përbashkëta studimi, të njohura me universitetet e huaja dhe sot ne kemi 28 programe të përbashkëta studimi dhe diploma dyfishe ku 25 prej tyre janë të përbashkëta dhe tre janë diploma dyfishe”, u shpreh ministrja./abcnews.al