Mot i kthjellët me kalime të pakta vranësirash, sa shkojnë temperaturat sot

schedule07:09 - 30 Shtator, 2023

schedule 07:09 - 30 Shtator, 2023

Deri në mesditë, vijon moti i kthjellët me kalime të pakta vranësirash në pjesën më të madhe të territorit por orët e pasdites sjellin vranësira më të shpeshta në të gjithë vendin ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten përgjatë shtrirjes Lindore por gradualisht gjatë mbrëmjes dhe në orët e vona të natës pritet grumbullim i vranësirave në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 14°C deri në 31°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.

Kosova

Masat ajrore të qëndrueshme që po diktojnë kushtet e motit në Ballkanin Jugore po ndikojnë në kushtet atmosferike të Kosovës, duke bërë që të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta. Pritet që kthjellimet të jenë më prezente gjatë paradites në një pjesë të mirë të vendit. Ndërsa orët vijuese sjellin shtim gradual të vranësirave në të gjithë territorin. Temperaturat e ajrit priten të luhaten nga 11 gradë C deri në 28 gradë C.

Maqedonia e Veriut

MV gjatë orëve të para të ditës parashikohet të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve në pothuajse të gjithë territorin, por herë pas here do të ketë dhe kalime të pakta të vranësirave kryesisht në zonat Lindore të MV do të jenë më të theksuara. Ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë shtim gradual të vranësirave në të gjithë vendin. Pritet që vranësirat të jenë më të fokusuara në zonat Veriore të MV. Temperaturat e ajrit do të luhaten nga 10 gradë C minimalja deri në 31 gradë C maksimalja në rang territori.

Europa

Mbetet me kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash Gadishulli i Ballkanit. Po ashtu; gadishulli Iberik si edhe brigjet e Egjeut do të dominohen nga moti i qëndrueshëm, ku kthjellimet dhe temperaturat e larta do të jenë dominante. Ndërsa ishujt Britanikë, Europa Lindore si edhe Vendet Nordike pritet të jenë me vranësira të shumta të cilat do të gjenerojnë reshje shiu ku herë pas here do të jenë rrebeshe shoqëruar me shkarkesa elektrike./abcnews.al