Publicisti Veton Surroi, gjatë intervistës për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, theksoi se zgjidhja në veri të vendit nuk qëndron tek shtimi i pranisë ushtarake. Sipas tij, duhet krijuar situata për zgjidhje të lira dhe të ndershme në katër komunat veriore si dhe të rritet prania e serbëve në polici.
“Vendosja e forcave të KFOR mes popullatës serbe të Kosovës dhe policisë së Kosovës është e gabueshme. Vendos një lloj zone që nuk duhet të ekzistojë sepse policia e Kosovës shërben për qytetarët dhe serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës. Edhe në deklarimin e Blinken, tha qartë se përgjegjësia për sigurinë është e policisë së Kosovës. Është First response. KFOR është për të ndihmuar dhe krijuar ambientin e sigurisë, që të mos cenohen dhe të mos vihet deri tek çrregullimet e forcave të armatosura.
Gjatë ditës së diel, së bashku me policinë kanë qenë njësitet e KFOR me aktivitet të ngritur në rast se forcat e policisë speciale nuk do të neutralizonin atë situatë apo nëse do të përshkallëzojë më tutje në pjesë të tjera. Kështu që ndërveprimi i policisë dhe KFOR është aty. Zgjidhja nuk është tek rritja e pranisë ushtarake por e pranisë civile të pjesëmarrjes së qytetarëve të veriut të Kosovës.
Ne duhet të synojmë një situatë që të zhvillohen për herë të parë zgjedhje të lira dhe demokratike për të katër komunat veriore dhe që ata qytetarë të marrin përgjegjësitë e veta dhe gradualisht numrin e trajtimeve në policinë e Kosovës të rritet edhe numri i policëve serbë në veri.”, theksoi Surroi./abcnews.al