Pesë anëtarë të një familjeje arabe izraelite që jetonte në veri të vendit u vranë brenda shtëpisë së tyre. Sulmuesit vranë tre burra dhe dy gra. Dy nga viktimat ishin adoleshentë.
Sulmi ndodhi në qytetin Bashbat Tabun, në rajonin e Haifës. Pak orë më parë, në të njëjtën zonë, persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri dhe kanë vrarë në makinë një 50-vjeçar arab izraelit.
Një total prej 188 izraelitë arabë janë vrarë që nga fillimi i vitit, sipas OJQ-së izraelite Abraham Initiatives, e cila promovon bashkëjetesën e arabëve dhe hebrenjve në Izrael. “Kryeministri duhet të shkarkojë ministrin e sigurisë publike dhe të zbatojë menjëherë një plan për të çrrënjosur krimin në komunitetin arab, situata është urgjente,” tha organizata.
Ministri Itamar Ben Gvir, i cili vjen nga e djathta ekstreme, është kritikuar shumë herë për qëndrimin e tij ndaj minoriteteve.
Sipas ekspertëve, bandat arabe kanë grumbulluar sasi të mëdha armësh gjatë dy dekadave të fundit dhe janë përfshirë në një sërë aktivitetesh të paligjshme, duke përfshirë trafikun e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore, prostitucionin, zhvatjen dhe pastrimin e parave.
Izraelitët arabë, pasardhës të palestinezëve që mbetën në rajon pas krijimit të Izraelit në vitin 1948, përbëjnë rreth 20% të popullsisë së vendit. Ata argumentojnë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia dhe autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për t’i mbrojtur ata dhe për të hetuar krimet e dhunshme. Në fund të majit, përfaqësuesit e tyre demonstruan në Jerusalem duke kërkuar që qeveria të marrë masa.