Censi, INSTAT: Procesi po ecën sipas parashikimeve, deri më tani asnjë problematikë apo ankesë

schedule14:57 - 27 Shtator, 2023

schedule 14:57 - 27 Shtator, 2023

Censi i popullsisë dhe banesave po ecën sipas parashikimeve. Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli deklaroi se deri më tani nuk ka pasur asnjë problematikë apo ankesë për mbledhjen e të dhënave në terren.

Dhuli theksoi se informacioni i mbledhur është konfidencial.

Reagimi i INSTAT vjen pas deklaratës së kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, i cili pretendon se regjistrues në terren po ndryshojnë të dhënat e minoritarëve.

Njoftimi i Institutit të Statistikave (INSTAT)

Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton median dhe opinionin publik se Censi i Popullsisë dhe Banesave, i cili ka filluar në datën 18 Shtator 2023, po ecën sipas parashikimeve.

Asnjë problematikë thelbësore nuk është shfaqur gjatë këtyre ditëve dhe angazhimi i INSTAT është maksimal për t’i garantuar çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë të drejtën për t’u numëruar. Nga informacionet paraprake në terren, qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të marrë pjesë në Cens në të gjithë territorin e Shqipërisë. Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Elsa Dhuli, thekson se: “Deri më tani nuk kemi hasur në asnjë problematikë apo ankesë të qenësishme për mbledhjen e të dhënave në terren. INSTAT përveç stafit të angazhuar për mbledhjen e informacionit në terren (anketues, kontrollorë dhe mbikqyrës) ka angazhuar dhe punonjësit e shërbimit civil të INSTAT për të monitoruar dhe dhënë zgjidhje problematikave potenciale në një proces statistikor kaq kompleks siç është Censi i Popullsisë dhe Banesave. Dua të theksoj që ky është një proces totalisht teknik dhe informacioni i mbledhur nga të gjithë familjet shqiptare është konfidencial dhe i garantuar nga ligji “Për statistikat zyrtare” dhe ligji i “Censit të Popullsisë dhe Banesave”.

Kësisoj, dua të sjell në vëmendje që detyrimi për t’iu përgjigjur anketuesve të INSTAT është detyrim ligjor dhe sigurisht një e drejtë qytetare për të kontribuar në zhvillimin e vendit duke marrë reforma dhe politika bazuar në shifra të sakta”. Çdo pretendim apo ankesë e çdo qytetari të cilit mund t’i jetë cënuar e drejta për t’u numëruar apo përgjigjur pyetjeve sensitive mbi etninë, fenë dhe gjuhën amtare mund të kontaktojnë në numrin jeshil të vendosur nga INSTAT (0800 22 44) ku deri tani ju informojmë se nuk ka pasur ankesa të tilla nga qytetarët.

Gjithsesi, u shpreh Dhuli: “Mirëpresim çdo ankesë konkrete nga çdo individ, por theksoj se insinuatat dhe akuzat në ajër nuk e ndihmojnë procesin”.