Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se mbi 20 terroristë serbë janë ende të lirë dhe mund të gjenden në territorin e Kosovës.
Në një intervistë për ABC News, Elezi u shpreh se veriu i Kosovës rrezikohet nga akte të tjera terroriste.
Sipas Elezit, grupi terrorist serb ishte i mirëorganizuar.
“Ajo që dua të them, fillimisht dua të konstatoj gjendjen vërtet të rëndë të sigurisë në Republikën e Kosovës. Kosova është seriozisht e rrezikuar nga aktet terroriste, të cilat mund të ndodhin nga këto anëtarë, të cilët tanimë janë jashtë perimetrit të Policisë Kosovës për t’i kapur. Janë mbi 20 anëtarë të këtij grupi, të cilët arritën të largohen nga manastiri dhe mund të jenë brenda territorit të Kosovës, mund të jenë duke organizuar edhe një veprim të ngjashëm. Numri i madh i armatimeve luftarake, i mjeteve të ndryshme, të cilët ishin vendosur në dispozicion dhe nuk ishin vërejtur nga institucionet e sigurisë, nënkupton që ky grup është i mirëorganizuar, janë të trajnuar dhe mund të jenë të rrezikshëm për ditët në vijim. Këta persona janë ende në arrati dhe potencialisht kanë baza të tjera aramtimesh që mund t’i kenë vendosur më parë dhe mund t’i shfrytëzojnë për të sulmuar institucionet e sigurisë, po ashtu qytetarë, apo edhe organizata të tjera që mund të merren me ngjarjen në këtë zonë.
Mund të them që qëllimi, absolutisht i këtyre personave, këtyre grupeve terroriste ka qenë destabilizimi në shkallë të gjerë, i situatës së sigurisë së Kosovës dhe më gjerë, duke tentuar që zjarrin ta fillojnë në atë zonë, Banjskën”, theksoi ai./abcnews.al