Mbrëmjen e së hënës në galerinë FAB, piktori i njohur Gazmend Leka çel ekspozitën “ Dhoma e hapave të humbur”. Kuratori Ermir Hoxha e cilëson këtë, udhëtim të Lekës si krijues dhe njeri.
Kjo ekspozitë ka aromën e një testamenti piktoresk mbi jetën.
Jeta e njeriut është shpesh një rrugëtim mes mëkatit të mishit dhe pastrimit të shpirtit. Përmbyllja e vitit për piktorin e njohur Gazmend Leka, merr kuptim, kur shfleton një faqe të re shkruar më gjuhën e pikturës.
Ankthi, tensioni e dëshira e prezantimit, janë të natyrshme për të në prag çelje të ekspozitës. Kuratori Ermir Hoxha e cilëson kërkimin artistik të Lekës unik dhe tronditës, ku kryepersonazh është vetë artisti.
“Dhoma e hapave të humbur” është vazhdimi i “lutjes”. Uni dhe mbiuni artistik kacafyten për të rrëfyer dhimbjen e shpirtit mes pafajësisë fëminore dhe mëkatit njerëzor. 18 dhomat e hapave të humbur vijnë për publikun mbrëmjen e së hënës në galerinë FAB./ABC News Albania 24/7