Presidenti i Turqisë Erdogan deklaroi së forcat ushtarake turke janë në gjendje gatishmërie, në pritje të urdhrit për të ndërhyrë në veri të Sirisë nga toka dhe ajri. Urdhri sipas tij do të jepet brenda pak orësh.
Turqia është deklaruar e gatshme për të dërguar trupat e saj ushtarake në veri të Sirisë, Brenda pak orësh. Presidenti turk Erdogan deklaroi se vendosja e zonave të sigurta në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezultoi të ishte një përrallë. Kreu i shtetit turk shtoi se forcat turke janë në gjendje gatishmërie për t’u zhvendosur më në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë.
Ankaraja është e bindur se patrullimet tokë-ajër së bashku me SHBA ishin një përrallë. Presidenti turk shtoi se ushtarët ishin në pritje të një urdhri, i cili do të jepet brenda pak orësh.
Turqia prej kohësh po zhvillon një fushatë me intensitet të ulët kundër kryengritësve kurdë në territorin e saj. Në vitin 2016, forcat ushtarake turke ndërhynë në luftën civile iraniane, duke pasur si objektiv njësitë kurde për mbrojtjen e popullit-YPG, në veri të vendit; forca që mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata avancuan ndjeshëm, por nuk e kaluan lumin Eufrat.
Militantët kurdë reaguan menjëherë ndaj deklaratës së Erdogan duke kërcënuar se do të transformonin çdo sulm të paprovokuar nga ana e Turqisë, në një luftë. Erdogan nga ana e tij akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po mbështet terroristët në Siri, duke thënë se Turqia do të ndërtojë vetë zonat e sigurisë.
Ankara dhe Uashingtoni kishin rënë dakord në muajin Gusht për krijimin e një zone sigurie në veri të Sirisë si dhe ndërtimin e një korridori paqeje për të lehtësuar rikthimin e sirianëve të shpërngulur. Po aktualisht progresi ka qenë shumë i ngadaltë në terren me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që këmbëngulin të mbrojnë aleatët kurdë në zonë, të cilët Turqia i konsideron terroristë.
Në muajin Shtator Erdogan u shpreh se Uashingtoni po kërkonte ndërtimin e zonave të sigurta në veri të Sirisë, jo për Turqinë por për grupet terroriste. Zyrtarët turq akuzojnë palën amerikane se nuk po bëjnë mjaftueshëm për situatën në Siri./ABC News Albania 24/7