Plani i Gjermanisë për të financuar organizata bamirëse që ndihmojnë emigrantët në Detin Mesdhe shkakton vështirësi për Italinë, tha të dielën Ministri i Mbrojtjes Guido Crosseto, ndërsa Roma përpiqet të forcojë masat për të penguar hyrjen e emigrantëve përmes rrugëve detare.
Sipas mediave italiane, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tha të premten se Berlni po zbatonte një program financiar parlamentar në mbështetje të ekipeve të shpëtimit në det dhe projekteve në terren.
“Kemi marrë shumë aplikime për financime. Shqyrtimi i aplikimeve është përmbyllur në dy raste”, i tha zëdhënësi agjencisë së lajmeve Reuters, duke shtuar se “shuma e financimit varionte nga 400 mijë deri në 800 mijë euro për çdo projekt”.
Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosseto i tha gazetës “La Stampa” se Roma e kishte parë këtë veprim të Gjermanisë si “shumë serioz” duke shtuar se qeveria italiane është e angazhuar në luftë ndaj trafikuesve të qenieve njerëzore që sipas tij duhet të trajtohen si “kriminelë ndërkombëtarë”.
“Berlini pretendon të mos e bëjë një gje të tillë, dhe duke vepruar kështu, i krijon probleme një vendi, që në teori duhet të ishte vend mik”, tha zoti CrossEto.
Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tani 132 mijë emigrant kanë mbërritur me varka në Itali, krahasuar me 69 mijë emigrantë që kishin mbërritur në vend, në të njëjtën periudhë, vitin e kaluar./VOA