SHKODËR- Policia e Shkodrës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së djeshme ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari Valter Fierza. Autoritetet kanë shpallur në kërkim pesë persona, të cilët dyshohen se kanë gisht në krimin, i cili tronditi fshatin Hot i Ri.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se këta pesë persona janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllain e 33-vjeçarit, që mbeti viktimë.
Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet Valter Fierza. Sapo ka parë automjetin, autori i dyshuar i krimit Klodian Mhilli ka qëlluar disa herë me armë zjarri kallashnikov në drejtim të 33-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje. Prej mbrëmjes së djeshme vijojnë kërkimet e policisë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Sipas dëshmive të banorëve, viktima ishte njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte me askënd/n.m.abcnews.al