Antonio Conte i ka bërë një nisje perfekte kampionatit italian në krye të Interit, ndërsa ndryshon situata në Evropë. Zikaltrit kryesojnë me 18 pikë të plota në Serie A dhe numërojnë vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve të para në Champions.
Ish-juventini po fiton zemrat e tifozëve të Interit dhe për momentin nuk ia përmend askush “origjinën”. Një detaj interesant vjen nga Spanja. Trajneri leçez ishte pranë uljes në stolin e Real Madrid sezonin e kaluar pas shkarkimit të Lopeteguit.
Fichajes.net raporton se ishte Sergio Ramos personi që bllokoi zbarkimin e italianit në kryeqytetin spanjoll. Kapiteni veproi shpejt dhe mori një mendim të kolonisë spanjolle që kishin punuar me Conten te Chelsea.
Ish-lojtarët e “tradhtuan” trajnerin dhe Sergio Ramos nuk dëgjoi fjalë pozitive për të. I gjendur në një situatë të tillë, kapiteni i Realit bindi presidentin Perez që t’i besonte Solarit dhe jo Contes. Një veprim për të cilin do të jetë penduar, duke parë se çfarë ndodhi me argjentinasin në stol, ndërsa tifozëve të Interit u mbetet ta falënderojnë mbrojtësin spanjoll. /abcnews.al