Presidenca publikon reagimin për “Venecian”: Konkluzionet tejkalojnë mandatin e Komisionit

schedule12:52 - 4 Tetor, 2019

schedule 12:52 - 4 Tetor, 2019

Presidenti i Republikës sulmoi Komisionin e Venecias duke u shprehur se edhe ai tejkaloi kompetencat. Në një reagim zyrtar pas draft-raportit, që mbërriti javën e shkuar në Tiranë, kreu i shtetit e quajti atë kontradiktor dhe të paplotë, ndaj kërkoi shpjegim përmes 10 pyetjeve. 

Ka marrë mbi supe më shumë seç i takon.

Tejkalimin e kompetencave ia vunë në dukje ekspertët e komisionit të Venecias në projekt opinionin e tyre “Për kompetencat e Presidentit për të caktuar datat e zgjedhjeve në një sistem parlamentar”.

Të njëjtën mendim ka edhe presidenti Ilir Meta për ta duke i renditur edhe arsyet pse sipas tij Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Vlerësimi i shkallës së rrezikut në Shqipëri duke u kufizuar në ballafaqimin e cunguar të deklaratave të autoriteteve publike është joprofesional dhe janë jashtë objektit të punës së ekspertëve të Komisionit të Venecias.

Gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”.

Jo vetëm kaq por disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, përsa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit- shkruan Ilir Meta në letrën  drejtuar presidentit të Komisionit të Venecias.

“Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore.

Në analizën dhe konkluzionet e ekspertëve nuk gjejnë vend/referim asnjë prej gjetjeve dhe konkluzioneve të 3 (tre) Raporteve të OSBE/ODIHR. Këto raporte janë hartuar prej misionit vëzhgues që ka monitoruar Shqipërinë për 3 muaj para, gjatë, dhe pas procesit të votimit të 30 qershorit, dhe ku kanë marrë pjesë mbi 200 vëzhgues.”

Për presidentin Meta nga njëra anë Projekt-opinioni i Komisionit të Venecias dhe Raportet e OSBE/ODIHR sfidojnë gjetjet dhe konkluzionet e njëri-tjetrit, ndërsa nga ana tjetër ky projekt opinion dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik.

“Nëse ky projekt miratohet siç është atëherë çdo lider autokrat mund ta intepretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij.

Në emër dhe në respekt të aspekteve proceduriale, çdo lider autokrat do të frymëzohet për të shtyrë opozitat që të dalin jashtë sistemit, apo të pamundësojë me forma të fshehura pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, duke shkelur në themel të gjitha standardet thelbësore të zgjedhjeve në sistem demokratik, gjithmonë në emër të “respektimit” të procedurave të zhvillimit të tyre”.

Ndërkohë që letra ishte publikuar në faqjen zyrtare të institucionit të presidencës, kryetari i shtetit ndodhej në Lezhë.

I bindur se ka dhënë material shterues për anëtarët e komisionit të Venecias.

Ndërkohë pret opinionin e ekspertëve të Venecias për 10 pyetje që ia adreson, ku i kërkon që t’i shqyrtojnë në mënyrë të integruar dhe nga të gjithë anëtarët përpara dhënies së një opinioni përfundimtar.