Teherani paralajmëron këmbim të të burgosurve me SHBA-në

schedule11:44 - 18 Shtator, 2023

schedule 11:44 - 18 Shtator, 2023

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaaani, tha se këmbimi i pesë të burgosurve amerikanë, që po mbahen në këtë shtet, dhe pesë iranianëve të arrestuar në Shtetet e Bashkuara, do të ndodhë “në orët në vijim” të 18 shtatorit.

“Nga pesë qytetarët tanë iranianë në Amerikë, dy do të kthehen në Iran, dy me kërkesë të tyre do të qëndrojnë në Amerikë, dhe një person, po me kërkesë të tij, do të shkojë në një shtet të tretë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara më 11 shtator hoqën sanksionet për të lejuar transferimin e 6 miliardë dollarë fonde në Iran nga Koreja e Jugut për në Katar. Ky vendim ishte i nevojshëm me qëllim që të realizohej këmbimi i të burgosurve.

Raportet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, më 2018 u tërhoq nga marrëveshja mes Teheranit dhe fuqive botërore për programin bërthamor të Iranit. SHBA-ja argumentoi se Irani nuk po e respektonte marrëveshjen e vitit 2015 – që synonte frenimin e programit bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve – dhe rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike./REL