Apple do të përditësojë iPhone 12, pasi Franca ndaloi shitjet

schedule12:37 - 15 Shtator, 2023

schedule 12:37 - 15 Shtator, 2023

Kompania amerikane Apple do të bëjë ndryshime në telefonin e saj iPhone 12 në Francë për të respektuar normat evropiane për nivelin e emetimeve të valëve dhe për të siguruar që ndalimi për shitjen e atij modeli të hiqet, ka mësuar Agence France-Presse nga kompania kaliforniane dhe nga ministri francez i dixhitalizimit.

Më 13 shtator, mbikëqyrësi i teknologjisë i qeverisë franceze urdhëroi tërheqjen e iPhone-ve të prodhuar nga Apple sepse ato lëshojnë një nivel shumë të lartë të rrezatimit elektromagnetik.

“Pas diskutimeve dhe siç kërkohet nga agjencia e frekuencave të martën, prodhuesi ka dhënë garanci se do të përditësojë iPhone 12 në ditët në vijim”, tha ministri Jean-Noel Barot në një deklaratë të transmetuar nga France Press.

Një zëdhënës i Apple u shpreh se do të lëshojë një përditësim të softuerit për përdoruesit francezë për të marrë parasysh protokollin e përdorur nga autoritetet rregullatore franceze.

iPhone 12 është në shitje që nga fundi i vitit 2020.

Agjencia franceze së fundmi mati rrezatimin e 140 modeleve të telefonave, përfshirë iPhone 12. Gjatë testimit të të dymbëdhjetëve, u zbulua se, duke mbajtur telefonin në dorë ose xhep, një person thith 5.74 vat për kilogram energji elektromagnetike.

Sipas ligjeve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, lejohet thithja e 4.0 vat për kilogram, të cilën iPhone 12 e lëshon vetëm kur mbahet në xhaketë apo çantë.

Në një numër rastesh të ngjashme, prodhuesit bënë ndryshime në modelet e tyre përpara se ato të tërhiqeshin nga tregu. Apple nuk e bëri këtë dhe është hera e parë që përballet me këtë procedurë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktualisht nuk ka asnjë tregues se ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike me intensitet të ulët është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut./abcnews.al