Nga Hergi Llupi
E shtuna do të jetë me gjithë vëmendjen te supersfida mes Interit dhe Milanit, Derby della Madonnina i parë i sezonit.
Inter dhe Milan do të takohen në “San Siro” të shtunën në orën 18:00, në një stadium ikonik të mbushur me kapacitet të plotë dhe lufta është për kreun e tabelës. Të dyja skuadrat e Milanos kanë arritur tre fitore nga tre të parat e këtij sezoni, kështu që në këtë derbi të dyja vijnë në një formë fantastike dhe spektakëli pritet të jetë në maksimum.
Inter ka fituar katër derbit e fundit kundër Milanit, madje pa pësuar asnjë gol dhe tashmë, zikaltërit synojnë rekordin historik për të fituar pesë derbi radhazi. Ky është një rekord për t’u arritur gjatë gjithë historisë 114-vjeçare të rivalitetit të dy klubeve, por më e rëndësishmja, zikaltërit po përpiqen për vendin e parë në Serie A dhe për të dhënë një goditje të hershme në garën për titull të këtij sezoni. Inter është një skuadër e ndërtuar me shumë klas dhe potencial vitet e fundit.
Katër derbit e fundit kanë përfunduar në favor të Interit, ku zikaltërit kanë fituar të parin më 18 janar me shifrat 0-3, të dytin më 5 shkurt me shifrat 1-0, të tretin më 10 maj me rezultatin 0-2 dhe të katërtin 1-0 më 16 maj.
Inter në Serie A këtë fillim sezoni ka treguar që di të shënojë, por edhe të mbrohet mirë. Skuadra e Inzaghit ka marrë tre fitore, kundër Monzës 2-0, kundër Cagliari 0-2 dhe kundër Fiorentinës 4-0.
Nga ana tjetër, edhe Milan ka nisur mirë këtë sezon, duke regjistruar tre fitore gjithashtu. Me Bolognan 0-2, me Torinon 4-1 dhe me Romën 1-2.
Pioli ka një skuadër tepër të mirë këtë sezon, ku synon gjithashtu të fitojë edhe trofe. Prurjet e reja janë tepër cilësore dhe kanë treguar në tre ndeshjet e para që kanë një kualitet të madh, me Pulisic e Luftos Cheek të cilët kanë treguar profesionalizëm në repartet përkatëse.
Nga ana tjetër, Inter gjithashtu ka treguar në tre ndeshjet e para të sezonit se arma më e fortë e tyre është grupi. Lojtarët e Inzaghit kanë një karakter tepër të fortë dhe gjithmonë punojnë së bashku për të arritur rezultatin pozitiv në fund të 90’.
E gjithë vëmendja në këtë derbi do të jetë te reparti sulmues, pasi Lautaro dhe Thuram do të sfidojnë Leao dhe Giroud. Deri më tani, argjentinasi Lautaro Martinez ka shënuar emrin e tij në listën e golashënuesve, duke shënuar 5 gola në tre ndeshjet e para. Kapiteni zikaltër është në një formë fantastike dhe sigurisht, sa herë ai ka shënuar në derbin e Milanos, Inter ka fituar.
Megjithatë, kjo sfidë është e paparashikueshme, pasi të dyja skuadrat janë të jashtëzakonshme dhe gjithmonë dhurojnë spektakël dhe emocione, por fituesi asnjëherë nuk dihet deri në momentin që gjyqtari fërshëllenë tri herë.
Formacionet e mundshme
Inter do të startojë këtë ndeshje me zvicerianin Sommer në portë dhe para tij pritet të rreshtohet Darmian, De Vrij dhe Bastoni. Mesfushoa nuk do të ketë surpriza, pasi Inzaghi pritet të hedhë nga minuta e parë e zakonshme me Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhytarian dhe Dimarco. Në sulm, Latuaro Martinez, kapiteni më i ri zikaltër i cili është i pazëvendësueshëm, pritet me të gjithë gjasat që partner të ketë francezin Marcus Thuram.
Milan padyshim që do të startojë nga minuta e parë me Maignan në portë dhe përpara tij rreshtimi i mbrojtjes me katër, ku Theo, Thiaw, Kjaer dhe Calabria do të mbrojnë, por mungesë e madhe shihet Tomori dhe Kalulu. Mesfusha do të jetë me tre, ku Reijnders, Krunic dhe Loftus Cheek do të jenë mbështetësit jo vetëm të mbrojtjes, por edhetë sulmit që pritet të përbëhet nga Leao, Giroud dhe Pulisic./h.ll/abcnews.al