24 vjet pas atentatit të Presidentit të parë të RMV, ende nuk dihen autorët

schedule15:40 - 3 Tetor, 2019

schedule 15:40 - 3 Tetor, 2019

24 vjet pas atentatit të dështuar ndaj Presidentit të parë të Maqedonisë së Veriut Kiro Gligorov, ende nuk dihen ekzekutorët dhe porositësit. Autoritetet e vendit, në të kaluarën disa herë janë zotuar se ata do të dalin para drejtësisë, por shpërthimi i 3 Tetorit të vitit 1995 vazhdon të mbetet enigmë për organet e drejtësisë në Shkup.

Sot mbushen 24 vjet nga atentati i dështuar ndaj Presidentit të parë të Maqedonisë Kiro Gligorov. Gligorov i kishte mbijetuar atentatit, ku mbeti i plagosur truproja e tij Ilço Teovski, por humbi jetën vozitësi Aleksandar Spirovski dhe një kalimtar rasti në shpërthimin që ndodhi më 3 Tetor të vitit 1995 para hotelit “Bristol” në Shkup. Vite me radhë ka patur premtime se ekzekutorët dhe porositësit e këtij atentati do të dalin para drejtësisë, por deri tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Në 15 vjetorin e shpërbërjes së Jugosllavisë, në Janar të vitit 2007 ish-Presidenti tashmë i ndjerë Kiro Gligorov, në një debat në televizion shtetëror kroat HTV, ka thënë se kishin ekzistuar mundësi që të evitohej lufta e përgjakshme në hapësirat ish-jugosllave, nëse nuk do të ekzistonin ambiciet personale të liderëve të Serbisë dhe Kroacisë. Një “treshe evropiane” në një takim me përfaqësuesit e gjashtë republikave ish-Jugosllave në Beograd kishin ofruar planin për hyrje të shpejtë të Jugosllavisë së atëhershme në Bashkimin Evropian dhe ndihmë financiare prej pesë miliardë dollarëve.

Kiro Gligorov – Presidenti i parë i Maqedonisë, janar 2007: “Së pari, me vendim politik Jugosllavia menjëherë do të pranohej në BE. Së dyti, nëse kishte sukses reforma e Ante Markoviqit, nga buxheti i BE-së do të merrnim pesë miliardë dollar. Por, atëherë në skenë dolën marrëdhëniet e pakuptueshme mes presidentëve të republikave, nëse njëri thonte A tjetri menjëherë përgjigjej me B”.

Njëzet e katër vite pas atentatit, mjerrisht drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e vet. Sidoqoftë, Kiro Gligorov mbetet ndër më meritorët që gjakderdhja në ish-Jugosllavi nuk u shtri edhe në Maqedoni. /ABC News Albania 24/7