Ëndrra Euro 2024/ Duka “elozhe” Dakut e Asanit: Ndihmuan ekipin, golat e tyre nuk kishin të paguar

schedule20:38 - 13 Shtator, 2023

schedule 20:38 - 13 Shtator, 2023

SHQIPËRI- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në “Real Story” foli për paraqitjet e Kombëtares në rrugën e kualifikueseve për Euro 2024. Ai tha se ekipi po i bën mirë detyrat dhe kjo është meritë e lojtarëve dhe trajnerit.

Përballë gazetarit Balla, Duka u pyet për performancën e Jasir Asanit, i cili shënoi gol spektakolar kundër Polonisë. Sipas Dukës, riafrimi i tij në Kombëtare është meritë e trajnerit Silvinjo.

“Asani e ka ndihmuar shumë ekipin sepse e ka zhbllokuar rezultatin në dy ndeshje, kundër Moldavisë në Tiranë dhe ky kundër Polonisë. Goli kundër Polonisë ishte fantastik. E ka ndihmuar shumë ekipin. Është futbollist shumë i mirë. Është për t’i dhënë merita Silvinjos për riafrimin e Asanit. Silvinjo që në muajin e parë pasi ka studiuar videot e tij dhe ka menduar se duhet të ishte në kombëtare dhe ia ka shpërblyer këtë”, tha ai.

Ndërkohë, Duka foli edhe për djaloshin Mirlind Daku, i cili vulosi rezultatin në 2:0 kundër Polonisë, gol i cili i solli qetësinë e kërkuar ekipit tonë në Air Albania. Sipas Dukës, goli i Dakut solli “qetësinë elektrizuese” në stadium.

“Në Çeki për minutat që luajti, luajti mirë, e ndihmoi skuadrën. Këtu e ndihmoi akoma më shumë skuadrën me gol. Në minutat e mbetura nuk është se Polonia na rrezikoi, por gjithsesi të gjithë ne në stadium ishim të emocionuar dhe ajo qetësia që na dhuroi Daku, nuk ka pagim”, tha ai./ n.m.abcnews.al