KOSOVË– Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk i ka marrë seriozisht mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë dhe kjo qasja e ka dëmtuar shumë rëndë shtetin dhe interesat kryesore të Kosovës. Kështu u shpreh drejtori ekzekutiv në Institutin Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj në lidhje direkte për emisionin “Ballkan Update” në ABC News.
“Po vijnë mesazhe dashamirëse nga miqtë më të mirë të Kosovës. Këto mesazhe që kanë dhënë Escobar, miqtë ndërkombëtar, nuk kanë ditur te lexohen në Prishtinë dhe shpeshherë janë keqkuptuar se të njëjtën janë duke ia mbajtur anë Beogradit zyrtar”, tha Miftaraj.
Ai tha se nëse do kuptoheshin siç duhet apeli i miqve, Kosova nuk do ishte sot nën sanksione të Bashkimit Evropian.
“Nëse do t’i lexonin drejt këshillat e miqve të vërtetë të Kosovës, nuk do ishim në situatën që në vitin 2023, kemi një regres në dialog. Nesër në Bruksel do jetë Kosova në një pozicion të papërshtatshëm sepse ajo është subjekt i ndëshkuar nga BE dhe jo Serbia”, tha ai.
Më tej ai thotë se qasja e gabuar e Kurtit po e prezanton Kosovën si penguese të dialogut në sferën ndërkombëtare.
“Kosova është në ballë të kritikave si penguese e dialogut dhe Serbia ndoshta për herë të parë konsiderohet si shteti që nuk është penguesi kryesor, por Prishtina”, shtoi ai.
Sipas Miftarajt, ndërkombëtarët janë lodhur me politikën që ka aplikuar Albin Kurti sa i takon dialogut me Serbinë.
Analisti theksoi se Kosova po vuan shumë nga sanksionet, ndërsa apeloi që Kurti është në kohë të ndryshojë logjikën dhe të veprojë sipas kërkesave të miqve ndërkombëtarë.
““Janë të lodhur me qasjen e Kurtit. Kosova po humb shumë nga këto masa. U përfol për 500 milionë dëme që i janë shkaktuar Kosovës nga këto masa. Është treni i fundit për kryeministrin Kurti, që të ndryshojë diskurs, të ndryshojë qasje për obligimet që u është dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai./ n.m.abcnews.al