30 vjetori i marrëveshjes izraelito-palestineze të Oslos

schedule15:38 - 12 Shtator, 2023

schedule 15:38 - 12 Shtator, 2023

Tridhjetë vjet më parë, kryeministri izraelit Yitzhak Rabin, udhëheqësi palestinez Yasser Arafat dhe Presidenti amerikan Bill Clinton shtrënguan duart në oborrin e Shtëpisë së Bardhë dhe njoftuan Marrëveshjet e Paqes të arritura në Oslo që synonin të hapnin rrugën drejt një zgjidhjeje të përhershme të konfliktit izraelito-palestinez. Por për shumë izraelitë dhe palestinezë, zgjidhja e konfliktit tani duket më e largët se kurrë.

Tridhjetë vjet më parë, izraelitët dhe palestinezët që negocionin Marrëveshjet e Paqes në Oslo kishin shpresë se ato po hidhnin themelet për një zgjidhje të përhershme të konfliktit mes tyre. Por 30 vjet më vonë, ata thonë se premtimi nuk është realizuar.

“Në atë kohë mendohej se negociatat, diplomacia, do të sillnin krijimin e një shteti palestinez. Por për fat të keq sot kemi një konsolidim të kontrollit të territoreve të pushtuara. Konflikti me izraelitët vazhdon dhe është më i përgjakshëm. Dhe udhëheqja palestineze është e korruptuar dhe joefikase. Kështu që sot palestinezët me të vërtetë kanë humbur shpresën”, tha për Zërin e Amerikës Ghaith Al-Omari nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

Yossi Beilin ishte një nga negociatorët kryesorë izraelitë në procesin e paqes në Oslo. Ai thotë se vrasja e kryeministrit Yitzhak Rabin në vitin 1995 nga një ekstremist izraelit, që kundërshtonte marrëveshjen e paqes, ishte një faktor i rëndësishëm në dështimin e procesit të Oslos.

“Një nga problemet kryesore është që ne e ekspozuam veten ndaj ekstremistëve nga të dyja palët, të cilët ishin të gatshëm të bënin gjithçka që ishte e mundur, përfshirë sakrifikimin e jetës së tyre, për të parandaluar një ndarje të tokës”, thotë ai.

Sipas disa zyrtarëve izraelitë të zbulimit, që ishin të përfshirë në negociatat e Oslos, mbështetja e udhëheqësit palestinez Yasser Arafat për ekstremistët palestinezë që kundërshtonin njohjen e Izraelit çoi në shkatërrimin e procesit të paqes.

“Pavarësisht vullnetit të tij për të hyrë në një proces negociator, ai ishte gjithmonë një njeri që luante me të dyja anët. Ai filloi të luante një lojë të dyfishtë me elementin terrorist, dhe kjo e dëmtoi shumë shpejt besimin e institucioneve izraelite të mbrojtjes dhe zbulimit në qëllimet e tij”, thotë Eran Lerman nga Instituti i Jeruzalemit për Strategjinë dhe Sigurinë.

Shumë palestinezë thonë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor shkatërroi mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore. Ndërtimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor ende po vazhdon.

Tridhjetë vjet më parë, në Bregun Perëndimor kishte 100 mijë hebrenj në vendbanimet izrealite dhe sot ata kanë arritur në mbi 500 mijë.

“Kjo marrëveshje nuk përfshinte kërkesën e delegacionit zyrtar të palestinezëve në Uashington për një pezullim të plotë të ndërtimit të vendbanimeve përpara nënshkrimit të marrëveshjes”, thotë Mustafa Barghouti nga Iniciativa Kombëtare Palestineze.

Procesi izraelito-palestinez i paqes është kthyer sërish në qendër të vëmendjes mes njoftimeve për bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara mbi një marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite. Pjesë e marrëveshjes janë edhe lëshimet që Izraeli do të duhet të bëjë për palestinezët për të përmbushur disa nga dispozitat e përcaktuara në marrëveshjet e Oslos 30 vjet më parë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!