Junta ushtarake liron presidentin e rrëzuar të Gabonit

schedule19:32 - 7 Shtator, 2023

schedule 19:32 - 7 Shtator, 2023

Udhëheqësit ushtarakë të Gabonit thonë se kanë liruar presidentin e rrëzuar Ali Bongo nga arresti shtëpiak, ku ka qenë që kur ata morën pushtetin javën e kaluar.

Ai tashmë mund të udhëtoj jashtë vendit për kontrolle mjekësore, pasi në vitin 2018 pësoi një goditje në tru dhe shëndeti i tij ishte një burim i madh shqetësimi për shumë njerëz në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.

Ushtria mori pushtetin menjëherë pasi ai ishte shpallur fitues i atyre zgjedhjeve, të kontestuara nga opozita. Njoftimi për lirimin e Bongo vjen pas presionit nga blloku rajonal Eccas dhe vendet fqinje.

Në një deklaratë në televizionin shtetëror të mërkurën në mbrëmje, zëdhënësi ushtarak Kolonel Ulrich Manfoumbi tha se vendimi për të liruar Bongo ishte për shkak të “gjendjes së tij shëndetësore”.

“Ai mundet, nëse dëshiron, të udhëtojë jashtë vendit për kontrolle mjekësore”, shtoi ai.

Bongo udhëhoqi vendin e pasur me naftë që nga viti 2009, kur ai pasoi babain e tij, i cili kishte drejtuar vendin për 41 vjet.

Grushti i shtetit është dënuar gjerësisht në Afrikë dhe Perëndim, duke përfshirë edhe Francën, ish-fuqia koloniale e cila kishte lidhje të ngushta me familjen Bongo. Gaboni është përjashtuar nga Bashkimi Afrikan.

Megjithatë, largimi i familjes Bongo pas gati 56 vitesh në pushtet u mirëprit nga shumë gabonezë. Që nga njoftimi i juntës se po lironte Bongo, ka pasur thirrje që ai të përballet me drejtësinë mbi akuzat për korrupsion.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!