EMRI/ Dëshmia e Nuredin Dumanit e fundosi, pranga avokatit që ofroi 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas

schedule14:30 - 6 Shtator, 2023

schedule 14:30 - 6 Shtator, 2023

TIRANË- Avokati Alban Bengasi, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden Bullet” është arrestuar këtë të mërkurë duke hyrë në territorin shqiptar.

Ai u prangos në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve. Mësohet se Bengasi ishte duke u kthyer nga Dubai.

Pas verifikimeve të policisë, rezultoi se Alban Bengasi me profesion avokat, të ishte në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar “arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Emri i tij doli në skenë pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit.

Sipas Dumanit, avokati Alban Bengasi, u kërkoi t’i vrisnin ish-gruan, duke ju ofruar 120 mijë euro, pasi donte të hakmerrej pasi ajo e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Dumani tregonte se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta.

Por këtë “punë” Dumani thoshte se nuk e pranoi ta bënte vetë, pasi nuk i pëlqente të rrihte gra, prandaj këtë porosi ua kaloi Eljo Bitrit dhe një djali tjetër për të cilin thotë se nuk i kujtohet kush ishte.

Pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë ish bashkëshorten e avokatit, Blerta Bengasin, Eljo Bitri e qëllon atë me grushte në fytyrë deri sa i del gjak.

Pas kryerjes së porosisë Dumani takon avokatin për t’i marrë paratë, por ky i fundit ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer as krah dhe as këmbë.

Madje avokati Bengasi herën e dytë, sipas dëshmisë së Dumanit, i kishte kërkuar këtij të fundit që t’i vriste ish bashkëshorten, dhe si këmbim do i jepte 120 mijë euro.

Por për Dumanin kjo ishte një shumë e vogël, pasi bëhej fjalë për vrasjen e një gruaje.

Dumani tregonte më tej se avokati Alban Bengasi madje e ka “kërcënuar”, duke i thënë se nëse se merrte ai përsipër do ja jepte këtë “punë” Gjergji Cukalit.

Për këtë thotë Dumani nuk ka pranuar ta marrë përsipër, madje i ka thënë avokatit që ta bëjë kush të dojë.

Edhe më herët, Alban Bengasi ka qenë i arrestua për dhunë në familje, pasi kishte dhunuar ish bashkëshorten, duke thyer edhe urdhrin e mbrojtjes./ n.m.abcnews.al