Autoritetet më të larta të shtetit serb u kanë drejtuar një apel të fortë serbëve të Kosovës duke u kërkuar që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në tetor.
Për Beogradin zyrtar, Lista Serbe është e vetmja zgjidhje për problemet e këtij komuniteti.
Serbia u ka bërë thirrje serbëve që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e Kosovës. Ky apel është bërë që të votohet për Listën Serbe, partinë që është projekt i Beogradit.
Këto thirrje i ka bërë edhe presidenti, Alleksandar Vucic, por edhe shumica e zyrtarëve serb.
Ata thonë se Lista Serbe po terrorizohet pasi shqiptarët duan ti ndajnë serbët.
“Para tentativës për të kthyer serbët në qytetarë të dorës së dytë duhet të dalim në zgjedhje masivisht, në mënyrë që t’i mundim me rezistencën tonë dhe me vendosmëri e zemër të mbrojmë vatrat tona pasi nuk kemi shtet tjetër përvec Serbisë”, tha Marko Gjuric.
Kjo video e politikanit serb nga Kosova, Nenad Rashic, i cili është i njohur pasi flet dhe shqip, ka tensionuar edhe më shumë situatën pasi dëm i madh konsiderohet nëse lista serbë nuk i fiton 100 për qind zgjedhjet.
Serbia, në fakt, është edhe kundër partive të tjera.
Stefan Surlic, nga fakulteti i shkencave politikë në Beograd, thotë se në Serbi ka pritje të mëdha nga zgjedhjet, e që është dialogu, por nuk dyshon në fitoren e listës serbe, pavarësisht se beson në pluralizëm.
“Komuniteti serb nuk ndodhet në një situatë të lakmushme dhe është i rëndësishëm uniteti. Por është me rëndësi që dhe në këtë situatë të kemi më shumë kandidatë dhe parti. Besoj se pas zgjedhjeve vetëm bashkësia ndërkombëtare mund të ketë ndikim edhe tek Prishtina dhe te Beogradi që dialogu të vazhdojë”, tha Stefan Surlic.
Beogradi zyrtar ka protestuar që nuk lejohen zyrtarët serb të vizitojnë Kosovën, për dallim prej atyre amerikan ose gjerman./ABC News Albania 24/7